Në një analizë të gjatë, Agron Gjekmarkaj ka pasqyruar situatën e fundit politikë.
Gjekmarkaj nuk ka kursyer ironitë, lidhur me mënyrën e qëndrimit të socialistëve, për çështjen e Belinda Ballukut, por edhe për diskutimet e fundit me Elisa Spiropalit.
Gjithashtu në fund të reagimit nuk ka lënë pa përmendur edhe ish-deputetin Ervin Salianji.
Reagimi i plotë;
Kronika lëvdon Tezen dhe drithërohet për kokën e Mamicës!
Bravo i qoftë! Hajër ishallah. Tezja ndenji, ndenji, e filloi zonjë e pleqëroi në karrige, po ama një thagmë ia la amanet kësaj toke: “ne jemi të përkohshëm, Babua është i përjetshëm”! …dhe e tha në mëngjes pa rrekëllyer putiret një pas një, që i ngrohin xhanë e ndezin gjakun, vitet e fundit!
Teze qerratesha ia di kimene llafit, di ta vërtisë sheriatin!
Meqenëse Mamica kapi majën me Skënderbenë, duke shtrydhur historinë si limon e ndjekur nga Ekonomi, që pushtoi një zabel kur tha Babua është marka e vatanit, Helidona Bilali një kodër me vjedhjen e Zeusit nga mitologjia, Tezja bëri thesar nga kjo eksperiencë e luajti me përjetësinë dhe përkohësinë si koncepte, sa filozofike aq të prekshme, duke i rrëmbyer Tonit mistikën biblike dhe Taos urtësinë e bashkëkohësisë politike prej Babloku!
Po rropateshin dhe ata si ideologë të shquar si buaj të parlamentarizmit, por ajo ua vodhi mendimin si Prometeu zjarrin perëndive!
Ndërkohë, Niko mori një ftohje të fortë në Berlin, sa me t’u kthyer e zunë ethet e temperatura prush!
Kostaqi i gatiti një kusi teneqeje me ujë të ngrohtë, i hodhi kripë në të, futi këmbët deri në gju, i tha derisa të mbulojnë djersët; mbi krye i vu një velenxë bërë me lesh Boboshtice, që të mos venin dëm avujt, teksa me ato duar i përzjeu çajin, në të cilin i shtypi një aspirinë!
Do përvëlohem, i tha. Futi, futi, insistoi Kostaqi!
Rënkonte Niko ziu!
Ngrije kokën, i tha Kostaqi pas pak, se mufatesh!
Jo oreee, klithi ai, me dashke të mirën ti, koka që ngrihet pritet! E ke parë Babon si kasap me hanxhar, fap në sater këto kohë, dhe iu fanepës koka e Mamicës në sini. E kapën të dridhurat bërrr bërrr bërrr, teksa kaçurrelat e saj i lidheshin për qafe si litar e frymëmarrja i pakësohej!
Ndaj kokëulur, pa u ndjerë, e do Zoti dalim gjallë në behar!
Ah, mallkuar qoftë ai Berlini, rënkonte e mejtonte, teksa Kostaqi e tërhoqi mbi një rrogoz, po ishte i rëndë e këputi mish!
I kujtohej Jorushi i Tabakëve, që e ka Bundestagun si mallin e Babës. Si i tha ai i nëmces që ju thaftë gjuha? “Ku je ti del dielli”, dhe asaj buza vesh më vesh nga qejfi! Po ai gojëprishuri Gaz Bardhi, që krekosej me takime nëpër ministrira sikur ta kishte çliruar ai qytetin, jo ushtria e kuqe! Me the e të thashë, pa le ai Klevis Balliu, që e përjashtova nga delegacioni me iza të Taos, që mos e zinte akshami rendi atje, dhe i dilte kudo përpara: te hoteli, në rrugë, duke i nxjerrë gjuhën e vënë pëllëmbën mbi hundë dhe herë pas here më kërcënonte: do të kopanis!
Ashtu, mes makthesh, e zu një gjumë i vuajtur!
Dy doktorët, Klodi Spaqia e Pendavia, bënin roje te koka e tij!
Genc Gjonçaj, pa përkushtim, i hidhte dru zjarrit që të dukej si i interesuar!
Dilo Nasufi solli nja dy kile vaj ulliri Berati për ta lyer, se është derman! Shalsi nja dy kile peshk të zënë me grep!
Zeniqeja i solli hudhra nga Rroskoveci!
Erjon Malaj ca boronica nga Tropoja!
Tao një komposto, po ca thonin që është koçifoz!
Doli llafi që lëngon Nikua dhe u turrën i madh e i vogël!
Braçja nuk shfaqi maraz, po shyqyr, tha, që teshtiu njëherë, se në sallë nuk ndihet!
Bledion Nallbati prej ditësh nuk ka lënë as shenjë as nishan, është bërë eremit, thonë!
Herën e fundit e kanë parë në shkallë të Tujanit, duke çjerrë faqet e ndukur leshtë e kresë! Heroizma e Mamicës dhe fati i saj i kobshëm i kishin dalldisur!
Barinjtë që u ndodhën aty dëshmojnë se kishin dëgjuar një si këngë vaji dhe një hije që largohej me galop:
“Koka në Ëashington, trupi në Berlin,
Të vranë, Mamice, të grinë.
Një varr i vetëm s’e nxinte dot lavdinë,
Lavdinë bashkë me bukurinë.”
Eh moj Mamice, moj virane, ia bëre Babos zemrën gropë, që të mbuloftë dheu! Pak halle ka ai?
Ja e pe Damon e Klosin, i telendisi, po nuk ia bënë qejfin qeder për Belën, kafshuan gjuhën e bënë gjak, po ndejtën urtë! Mirë bënë, ditë të dallgosura!
As Braçja, ai e di deri ku i shkon litari, ndaj s’e tendos!
Po ti moj e mjere? Babua tutje, ti tëhu!
Allah, Allah, ç’po na shohin sytë e dëgjojnë veshët këto kohë, tha Delina Ibrahimi, kur pa mbathësin e kuajve Lamellarin, që kishte dalë si dordomuz pazarit, me jelek që flitet se ia ka vjedhur Tonit bashkë me sumbullat në senduk, e dy zaptije me allti që e ruanin si të ishte Preng Bibë Doda motit!
Lezha vajton ikjen e Ulësisë!
Gonxhe u mjaftua me dy-tri gromësira, pas një gjumi jo të mirë, ku në ëndërr i kishte dalë Margariti!
Klosi u përlot pa e ditur arsyen! Ende s’e di çfarë i mungon e çfarë kërkon! Por di që ka ankth!
Karakaçi dhe Nufi shihen në pasqyrë dhe e pyesin: medemek ne qenkemi ministra? Dhe lëshonin një të pathënë të zgjatur nga goja, firaunët?! Ah moj Bela shpirtkatrane pse nuk na vure dy motrani a shoqeni të hajrit se sheh i gjori njeri qeverinë dhe e zë barku nga berrnutllëku estetik!
Pirro Dengu, i çmeritur, lëngon dhe pyet qiellin: si ma bënë këtë dhe kujt pa, mua?!
Vetëm Sofjan lozonjari ishte i gëzuar me ndarjet e reja të drejtuesve politikë të Tiranës, kishte gjetur kapaku tenxheren!
Antoneta Dhima e sheh botën me optimizëm, jakë-jakë po i vjen dita të bëhet ministre e uruara! Bekuar qoftë Babua, thotë, që ka rifilluar lojën e basketbollit!
Evis Kushi ka filluar të admirojë Taon! Kur e pyetën pse e bën, ajo citoi Pesoan që shkruan: “admirimi të rrit”!
Salianji qerratai gojëmjaltë sa herë më zë emrin me gojë mi shton miqtë në Parti!
Meqenëse mediat po përdorin ledhatimet e Kronikës ndaj personazheve të vet për të sulmuar kundërshtarët politikë, autori, me shenjë solidariteti me ta, për disa kohë do vetëthirret: Gonushi! Se Kronika nuk është vetëm e hidhur, por edhe e ëmbël, si thelë bakllavaje!
