Man.City “çmonton” Fulham, triumfon pastër 3-0 duke ushtruar presion ndaj Arsenal. Falë këtij suksesi, “qytetarët” e dërgojnë provizorisht në -3 diferencën me “topçinjtë”. Ekipi i Guardiola-s ishte i papërmbajtshëm në këtë takim duke zgjidhur gjithçka brenda pjesës së parë. Semenyo rezultoi lojtari i ndeshjes, me sulmuesin ganez që realizoi një gol dhe dhuroi një asist.

Në minutën e 24-të, Semenyo përfitoi nga një top i ngecur në zonë duke devijuar topin në rrjetë. Gjashtë minuta më vonë, ganezi dhuroi një asist të bukur për O’Reilly, me këtë të fundit që finalizoi me shumë klas duke dyfishuar shifrat. Man.City nuk e uli ritmin dhe në minutën e 39-të, Haaland me një goditje të saktë trefishoi shifrat. Ky ishte goli i 22-të i biondit në Premier League, plus 6 asiste. Man.City menaxhoi me qetësi pjesën e mbetur të këtij takimi duke dalë me 3 pikë nga sfida përballë Fulham.

Pep Guardiola nuk preferon të shoh klasifikimin, të flas për duelin në distancë me Arsenal, thjesht kërkon nga ekipi i tij të ruajë të njëjtin ritëm: “Gjithmonë them se fokusi është të rritemi. Si mund të jemi të qëndrueshëm gjatë 90-minutave. Ne po e bëjmë këtë. Tani të shohim se çfarë do të ndodhë, ku do të jemi pas ndeshjes Brentford-Arsenal”, u shpreh Guardiola.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb