Një dorë mbi titullin, një javë përpara fundit. Man.City thyen 0-2 Tottenham, kalon pengesën më të vështirë, rimerr kreun e Premier League, ndërsa tani i mbetet vetëm të fitojë sfidën e fundit në “Etihad”, atë kundër West Ham, për të festuar titullin kampion. Presioni ishte i lartë në radhët e “qytetarëve”, kjo ishte e qartë në çdo top, në çdo aksion që krijuan.

Haaland
Haaland

Pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, në minutën e 51-të, Kevin De Bruyne dhuroi një assist të pastër për Erling Haaland, me “bomberin” norvegjez që nuk fali me portën e boshatisur. Me kalimin e minutave, Tottenham shtoi presionin në zonën e Man.City, Pep Guardiola shtrihet në tokë në minutën e 86-të teksa Ortega ndali Son. Për një moment të vetëm, Guardiola pa t’i ikte titulli nga duart. Në shtesë, City fitoi një 11-metërsh dhe nga pika e bardhë e penalltisë, Haaland u tregua perfekt duke dyfishuar shifrat. Falë këtij suksesi, Man.City kalon në krye në kuotën e 88 pikëve, 2 më shumë se sa Arsenal. Pavarësisht se mediat e konsiderojnë tani të mbyllur garën për titull, nuk e sheh në këtë mënyrë Pep Guardiola:

“Jam i lumtur për atmosferën në dhomat e zhveshjes, por nuk pashë një festë ekstra, lojtarët e dinë se asgjë nuk ka përfunduar. Njerëzit duhet të vijnë në Etihad të dielën që në orën 15:00, të përcjellin energji, të na shtyjnë të fitojmë në çdo centimetra pasi do të jetë e vështirë”, u shpreh Pep Guardiola duke shtuar: “Unë e di që do të jetë një ndeshje e ngjashme me atë kundër Aston Villa-s, për shkallën e vështirësisë dhe emocioneve, por unë i njoh lojtarët e mi, e di që ata mund ta përballojnë presionin”, theksoi Pep Guadiola pas ndeshjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb