Ivan Perisic është një dëshirë e hershme e Jose Mourinho-s, trajnerit të Manchester United që merkaton e verës së kaluar tentoi jo pak për ta marrë nga zikaltërit.

Por pas Botërorit fantastik që ka bërë kroati interesimi është zgjuar sërish, pavarësisht se Perisic në shkurt mbush 30-vjeç.

“The Sun” ka shkruar sot se “djajtë e kuq” kanë bërë gati 92 mln stërlina për të afruar mëngjarashin e Interit, por jo vetëm, edhe shokun e tij te skuadra e Kroacisë, Ante Rebic.

Për lojtarin e zikaltërve janë menduar të shpenzohen 48 mln stërlina, ekuivalentja e 54 mln eurove, ndërsa pjesa tjetër për futbollistin që aktivizohet te Eintracht Frankfurt.

Rebic gjithashtu ka rënë në syrin e Mourinho-s, për forcën, grintën dhe dëshirën që tregoi në Botëror. Nëse Manchester siguron këto dy lojtarë atëherë ekipi anglez mund të mbyllë edhe merkaton, pasi ‘special 1’ nuk ka kërkuar më shumë përforcime.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb