TIRANE– Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ndërpreu mbledhjen e sotme duke mos marrë një vendim për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme që kërkon heqjen e mandatit për deputetët e Kuvendit, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, si për kryetarin e bashkisë Kavajë, Elvis Roshi, si persona që iu ndalohet e drejta të ushtrojnë funksione publike, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
Me propozim të përfaqësuesve të maxhorancës, seanca e sotme u shty për më 29 dhjetor, pa marrë një vendim, ndërsa u ra dakord që Komisioni t’i drejtohet organit të akuzës me kërkesën për informacione shtesë lidhur me rastet e tre zyrtarëve.
Në fund të mbledhjes, ku u dëgjuan dhe avokatët e tre zyrtarëve, që ju kërkohet lënia e mandatit, kryetari i Komisionit, Denar Biba, e vlerësoi seancën të rëndësishme, ku siç tha ai, u vumë në dijeni të disa fakteve që nuk rezultojnë nga materiali i Prokurorisë.
“Ne do të vijmë drejt vendimmarrjes dhe do vendosim për të tre rastet dhe jam i bindur që secili nga kolegët e mi, nuk do i referohet vetëm materialeve të prokurorisë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm se vendimi ynë duhet të kete referenca sa ligjore, aq dhe dokumentative”.
“Personat që kanë kryer ato vepra do t’i vuajnë pasojat e atyre, por në këtë vendimmarrje ne duhet të jemi korrektë. Ndaj propozoj që minimalisht të na jepen disa të dhëna mbi vendimet përkatëse për këta njerëz që mund të penalizohen”, tha kryetari i KQZ-së, Biba, i cili vërejti mungesën e përfaqësuesve të Prokurorisë, “në një çështje me interes shumë të lartë politik dhe publik”.
Nënkryetari demokrat i KQZ-së, Hysen Osmanaj u shpreh kundër marrjes së informacionit shtesë nga prokuroria.
“Nuk kemi çfarë i kërkojmë Prokurorise, se ajo e ka dhënë vendimin e saj. Ne kemi detyrë vetëm ta zbatojmë. Nuk kemi nevojë t’i kërkojmë organit të akuzës asnjë kërkesë tjetër, ne mund t”i regjistrojmë këto prova që sollën dhe të caktojmë vetëm kohën”, tha Osmanaj.
(el.sp/BalkanWeb)
