Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, i ftuar në “Kjo Javë” në Neës24 ka folur në lidhje me kushtet ku mbahet presidenti i PL Ilir Meta që nga momenti i arrestimit.
Ai u shpreh se Metës nuk i lejohet takimi me askënd tjetër përveç familjarëve, ndërsa nuk i lejohet as të komunikojë në telefon me drejtuesit e partisë, çka vështirëson procesin.
“Partia e Lirisë drejtohet nga presidenti Ilir Meta pavarësisht statusit të tij juridik. Mënyra e drejtimit sigurisht nuk është e lehtë. Nuk kemi mundësi ta takojmë zotin Meta na është hequr e drejta për të komunikuar me telefon. Komunikojmë me letra, ose Meta duhet të mos takojë familjarët e të takojë deputetët. Kam një autorizim nga prokurorit e SPAK që të takohem në mënyrë të kufizuar me të por kjo nuk po më lejohet.
Prej 7 muajsh nuk më lejohet të flasim as në telefon. Kur e takova Meta sakrifikoi takimin me familjarët për të takuar drejtuesit të partisë.
Nuk na lejohet t’i çojmë as libra për të lexuar, duhet t’ia dërgojë familja.
Mandelës i lejohej të luante tenis, Metës nuk i lejohet as të stërvitet”, tha ai.
