Nga: FATMIRA NIKOLLI*
Çfarë është më e rëndësishme, në krahasim me historinë e botës? Talebanët apo rënia e perandorisë sovjetike? Një grusht të ekzaltuarish islamikë apo çlirimi i Europës Qendrore dhe fundi i luftës së ftohtë? Zbigniew Brzezinski, 1998.
Një nga paradokset më të mëdha të historisë së kohëve të fundit është se xhihadi më i suksesshëm i shekullit XX u shpall nga një katolik amerikan me origjinë polake”. Kur Manlio Graziani shqipton këto fjalë, një sallë i kthen sytë drejt tij. Ai tregon një ngjarje të vitit 1980, ngjarje prej ku nisi përplasja mes Lindjes dhe SHBA-ve. “Në janarin e 1980-s, këshilltari për sigurinë kombëtare i Jimmy Carter-it, Zbigniew Brzezinski, pasi kishte mbërritur në kalimin e Kiberit, midis Afganistanit dhe Pakistanit, sanksionoi përpara një grupi të vogël muxhahedinësh karakterin e shenjtë të luftës kundër pushtuesve rusë: ‘Kauza juaj është e drejtë dhe Zoti është në anën tuaj”. Graziano vë buzën në gaz, kur thotë se lufta e shenjtë e islamit u quajt e tillë nga një katolik, por shton se suksesi i atij xhihadi shkoi përtej objektivave të tij të origjinës. “Në përputhje me sa u sigurua nga Brzezinski, muxhahedinët e ngarendur nga mbarë bota ia mveshën Zotit fitoren e tyre kundër ushtrisë sovjetike: armët dhe financimet amerikanë, saudite, kineze dhe egjiptiane, të shpërndara nga pakistanezët, ishin vetëm forma bruto në të cilën shfaqej vullneti i Zotit”. Sipas historianit italo-francez, profesor në Sorbonë, ishte ajo bindje që u dha atyre ndjesinë dehëse se mund t’i shkatërronin kudo të gjithë armiqtë e islamit: qeveritë tafkir (domethënë që e kishin mohuar islamin) 116 të vendeve të tyre të origjinës, izraelitët, të pafetë që zinin tokat dikur myslimane (si Andaluzia apo Krimeja) apo ende myslimane (si Bosnja, Kosova, Çeçenia, Kashmiri dhe Xinjiangu) dhe në fund, armiku numër një, satanai i madh, Shtetet e Bashkuara, kundër të cilëve u kthye në fund makina e skëterrshme e “luftës së shenjtë”, që vetë amerikanët kishin ndihmuar të vihej në lëvizje.
Graziano është në Tiranë, në një vend ku fetë janë në rend të dytë, por prej ku sërish, të ndikuar nga xhihadi, kanë ikur jo pak njerëz. “Ata e dinë se po shkojnë për xhihad, ata nuk e dinë se atje ka xhihad”, thotë Graziano në “Sheraton”, ndërsa risjell para nesh hartën e botës, parë tashmë si një hartë ngjyrash e mikimesh fetaro-politike.
“Merita kryesore e këtij libri është se na hap ndaj dyshimit. Grazianoja na propozon pista të reja hetimi në fushën jo fort të eksploruar të gjeopolitikës së feve. Ku do të na shpien, nuk e dimë. As autori nuk mëton ta dijë. Por mendojmë se t’i eksplorojmë do të jetë ushtrim i dobishëm dhe pasionues”. Kur Lucio Caraçilio shkroi këto radhë, ai e kish përfunduar së lexuari librin “Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë”, të italianit Manlio Graziano. Libri vjen nën siglën e shtëpisë botuese “Saras”, ndërsa autori foli për fetë dhe trazirat ndërkombëtare në shekullin e XXI, nisur pikërisht nga botimi i librit “Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë”.
Pjesët
Pjesa e parë i kushtohet marrëdhënies komplekse dhe paradoksale midis modernitetit dhe shekullarizimit: e para ka përcaktuar të dytën, sigurisht, por edhe e kundërta e saj, “kthimi i së shenjtës” apo “deshekullarizimi”. Në pjesën e dytë autori analizon disa raste specifike, ku feja dhe politika filluan të ngatërrohen që në vitet shtatëdhjetë: Indonezia, Egjipti, Izraeli, India, Pakistani, Sri Lanka, Birmania dhe Shtetet e Bashkuara. “Bindja se feja po zhdukej kishte penguar asokohe të dallohej filli që lidhte mes tyre ngjarjet e veçanta. Në dy raste të tjera – Irani dhe Afganistani – paaftësia për ta analizuar situatën do të shkaktonte pasoja edhe më të kobshme dhe të qëndrueshme”, shkruan ai.
Në pjesën e tretë autori merret me teorinë e “përplasjes së qytetërimeve”, që u bë e famshme nga teksti i Samuel Huntington-it i 1996-s. “Vlera e paraqitjes së Huntington-it – e qytetërimeve të ndara nga kufij të përvijuar qartësisht – është se i përgjigjet asaj nevoje për ide të thjeshta dhe të drejtpërdrejta, që bëhet gjithnjë e më e ngutshme në kohë krize dhe rrëmuje; e meta e saj është se ajo botë, aq e qartë dhe lehtësisht e kuptueshme, thjesht nuk ekziston”, thotë ai duke shtuar se “vlera e paraqitjes së Huntington-it – e qytetërimeve të ndara nga kufij të përvijuar qartësisht – është se i përgjigjet asaj nevoje për ide të thjeshta dhe të drejtpërdrejta, që bëhet gjithnjë e më e ngutshme në kohë krize dhe rrëmuje; e meta e saj është se ajo botë, aq e qartë dhe lehtësisht e kuptueshme, thjesht nuk ekziston”. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, ngjitjes së Japonisë dhe lindjes së Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara filluan në vitet nëntëdhjetë një seri operacionesh ushtarake që synonin të rivendosnin një raport më të favorshëm forcash. “Atentatet e 11 shtatorit 2001 përbëjnë rastin ideal për të hedhur një hap vendimtar në atë strategji, me nisjen e një global war on terror që u shfaq në sytë e shumë vetëve si një luftë globale kundër islamit. Një paraqitje e tillë konfliktuale e marrëdhënies midis islamit dhe Perëndimit (ku njëra palë ndihet viktimë e agresionit nga ana e tjetrës dhe anasjellas) gjeti një bazë të vetën konceptuale pikërisht në teorinë e përplasjes së qytetërimeve: pas fundit të Luftës së Ftohtë, argumentonte Huntington-i, konflikti i ardhshëm global mund të zhvillohej midis “qytetërimit islamik” dhe “qytetërimit kinez”, aleatë mes tyre, kundër “qytetërimit perëndimor” apo Western Christianity-së (të paraqitura si sinonime).
Sipas tij, pas 11 shtatorit dhe luftërave në Afganistan dhe Irak, ajo teori u bë shumë popullore dhe marrëdhënia midis fesë dhe politikës u pa pothuajse vetëm në terma të marrëdhënies së islamit dhe politikës. Papritur shpërtheu një epidemi ekspertësh të vetëshpallur të islamit dhe termash të panjohura më parë, si “xhihad” apo “sharia”, hynë në gjuhën e përditshme, megjithëse me kuptime pothuajse gjithnjë të ndryshme mes tyre.
Pjesa e katërt i kushtohet hipotezës së një “aleance të shenjtë” midis feve më të rëndësishme të botës, me objektivin për t’i kthyer në “ndërmjetësit e ardhshëm etikë primarë” (Eric O. Hanson) të shoqërive moderne “postshekullare”.
Promovimi
I ftuar të flasë për veprën e tij, Graziano tha se “nëse sot doni të kuptoni se ç’po ndodh në Lindjen e Mesme, atëherë fillimisht duhet të studioni një herë gjeopolitikën, e cila do t’ju orientojë si një instrument. Fetë si një instrument politik janë ato me të cilat unë merrem, edhe pse jo të gjitha fetë ndodhen në të njëjtin nivel”.
Ndërkaq, shkrimtari Besnik Mustafaj nuk ngurroi të lëvdonte autorin italian dhe ta pyeste mbi librin “E them me plot gojë se argumentet e këtij libri më kanë turbulluar dhe gjithashtu eseja e profesor Gracianos të lë gojëhapur”, theksoi ai. “Lufta e shenjtë, e shenjta aleancë”, një ndër librat që ka ngritur një debat të madh mbi të ardhmen e qytetërimeve, i shkruar nga analisti dhe historiani i njohur italian, Manlio Graziano, me përkthimin e Ardian Beshajt, sjell ndërthurjen e historisë me teologjinë, fetë e para në konceptin gjeopolitik dhe sqaron edhe se si ato arritën në një dominancë në jetën publike. Vepra “Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë” cilësohet gjithashtu si një libër që mund të lexohet lehtë, por që mbart përgjigje për shumë mëdyshje me të cilat përballemi sa herë dalin në pah konfliktet fetare.
Në një cep të Muzeut Historik të bersalierëve, në sheshin roman të Porta Pia-s, është një kasafortë e mbikëqyrur mirë. Këtu dergjet në fshehtësi (relative) shpata e islamit. Ose më mirë, njëra prej versioneve të saj. Në Romë e solli nga Tripoli, në vitin 1937, Benito Musolini. Duçja ua kishte marrë libianëve, për ta ekspozuar duke kalëruar një pitok berber përpara fotografëve të regjimit, të cilët nxorën prej saj një ologramë me përhapje të konsiderueshme. Shërbimet e sigurisë së Republikës Italiane vendosën pastaj se kutia romane ku ruhej ai simbol, meritonte errësimin. Sidomos në kohët e “luftës ndaj terrorizmit”, e perceptuar në botën myslimane – dhe jo vetëm – si luftë midis Perëndimit të krishterë dhe islamit. Mos e dhëntë kurrë që ndonjë aspirant për kalif ta mbante shënim dhe të vendoste të vinte për ta marrë përsëri.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
