SHKUP– Më shumë se 4 mijë emigrantë janb bllokuar sot hekurudhën Selanik-Shkup, në pjesën e kufirit me Maqedoninë. Për shkak të kësaj situate, siç transmeton INA, në territorin grek janë bllokuar një tren udhëtarësh dhe një tren mallrash. Në zonën kufitare midis dy vendeve janë grumbulluar mbi 3 mijë emigrantë, të cilët po tentojnë të hyjnë në Maqedoni, por që janë penguar nga njësitet speciale të Maqedonisë. Në zonën kufitare ka mbërritur edhe njësia speciale greke e cila ka informuar për situatën në anën greke të kufirit. Mijëra emigrantët, kryesisht të rinj të moshave prej 20 deri 30 vjeç synojnë që përmes Maqedonisë të shkojnë në Serbi dhe më pas në vendet e Evropës Perëndimore.
Nisur nga kjo situatë, qeveria maqedonase dekretoi sot gjendjen e jashtëzakonshme, për tu përballur fluksin e emigrantëve të ardhur nga Greqia si dhe do të angazhojë forcat e armatosura për të ndihmuar në menaxhimin e krizës.
“Për shkak të një presionin në rritje në kufirin jugor dhe një imigrimi të intensifikuar në korridorin ballkanik, ajo theksoi se një kontoll më i madh dhe më efikas ishte i nevojshëm në zonën kufitare, ku janë regjistruar kalime të paligjshme masive me prejardhje nga Greqia”, theksoi qeveria në një komunikatë.
Ivo Kotevski, zëdhënësi i policië maqedonase, ka deklaruar se si ushtria ashtu edhe policia do të patrullojnë 50 kilometrat e kufirit që ndan Maqedoninë me Greqinë, në mënyrë që të bllokojnë fluksin masiv të emigrantëve. “Kjo masë është marrë për të garantuar sigurinë e maqedonasve që jetojnë në zonën kufitare, si dhe për t’ju siguruar një trajtim më të mirë migrantëve”.
Në lidhje me situatën ka folur sot edhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili thekson se Maqedonia nuk ka kapacitetin e nevojshëm për t’ju ofruar ndihma numrit gjithnjë e në rritje të emigrantëve që e përdorin Maqedoninë si vend tranzit.
“Ne patëm një diskutim mbi çështjen e emigrantëve e cila është një çështje për Evropën, jo vetëm për Maqedoninë. Maqedonia është një korridor tranzit dhe jashtëzakonisht e rëndësishëm se si ne do të merremi me këtë sfidë. Kur e kemi sjellë ligjin emigrantëve u dhamë disa mundësi, atëherë kishin 500 deri 600 emigrantë në ditë, por kjo shifër u rrit në 800-900, pastaj një mijë, dhe mesatarisht 2,000 në ditë dhe tani mbi 2500 dhe pritet që të rritet në periudhën e ardhshme deri në tre apo katër mijë”, tha Gruevski.
Sipas tij, kalimi i tyre dhe tranziti nëpër Maqedoni krijon probleme për veten e tyre, sigurinë dhe çështje të tjera të natyrës njerëzore. “Vlerësuam se është e nevojshme Qeveria të ndërmarrë instrumente të përkohshme të caktuara me të cilat fillimisht do t’iu dilet në ndihmë emigrantëve që ata të kenë transport human përmes Maqedonisë që do të thotë se duhet patjetër të kontrollohet hyrja e tyre dhe numri i njerëzve të cilët hyjnë që të mund t’iu ofrohet ndihma e nevojshme kur të hynë në Maqedoni. Një numri kaq të madh të emigrantëve, shteti nuk ka kapacitet t’u ofrojë ndihmë”, tha kryeministri Gruevski, raporton Zhurnal.
KiE: MOS SHKELNI KONVENTËN EUROPIANE
Duke reaguar ndaj ardhjes masive të emigrantëve në Republikën e Maqedonisë, pas vendimit të Qeverisë që të shpallë gjendje krize në rajonin e kufirit jugor dhe verior të shtetit, kryetarja e Asamblesë parlamentre të Këshillit të Evropës, An Braser shprehi solidaritet me autoritetet e Maqedonisë, njëkohësisht e paralajmëroi Qeverinë të mos shkelë standardet dhe konventën europiane.
“E ndaj shqetësimin e autoriteteve që të përballen me gjendjen deri më tani të paparë dhe serioze. Në të njejtën kohë, unë dëshiroj të theksoj se të gjitha masat e ndërmarra nga ana e autoriteteve duhet të jenë në pajtim me standardet e Konventës evropiane për të drejta të njeriut. Këshilli i Evropës ka instrumente adekuate në mënyrë që të sigurohet mbështetja adekuate. Unë do ta kontaktoj delegacionin parlamentar të vendit që të informohem për rolin të cilin APKE mund ta ketë” thuhet në deklaratën e Braser.
Kjo gjendje, theksoi ajo, edhe një herë konfirmon se fenomeni i emigracionit dhe refugjatëve nuk është diçka që mund të zgjidhet individualisht nga secili vend në veçanti, përkundrazi, kjo duhet të shqyrtohet nga perspektiva evropiane dhe globale, në të cilën të gjitha vendet e luajnë rolin e vet dhe ndërmarrin pjesë adekuate nga përgjegjësia.
“Unë për këtë çështje do të bisedoj me krxetarët e delegacioneve nacionale të Kuvendit (APKE) në takimin tonë të ardhshëm gjatë sesionit në shtator në vitin 2015”, përfundoi kryetarja e APKE-së, An Braser.
(ma.ar/BalkanWeb)
