Qeveria e Maqedonisë u ka kërkuar organeve hetimore dhe institucioneve përkatëse që të hetojnë nëse ka kompani të vendit që janë përfshirë në ri-eksportimin e mallrave nga Bashkimi Evropian drejt Rusisë.

‘Në Shkup ka zëra se ekzistojnë kompani të tilla, të cilat e shfrytëzojnë mundësinë që prodhimet bujqësore nga vendet e Bashkimit Evropian t’i dërgojnë në tregun rus pavarësisht bllokadës. Në fakt janë autoritetet ruse ato të cilat kanë kërkuar zbardhjen e çështjes, përmes një kërkese drejtuar autoriteteve në Shkup’- transmeton Zëri i Amerikës. Ministri i Ekonomisë në qeverinë e Maqedonisë, Bekim Neziri paralajmëron se do të ketë ndëshkime serioze për ato kompani nëse konfirmohet përfshirja e tyre në këtë ri-eksport drejt Rusisë.

Nga Qeveria e Shkupit thuhet se zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë filluar kontrollet në terren, por pa bërë të ditur hollësi të tjera. Shërbimi rus për kontrollin e veterinarisë dhe atë sanitar ka kërkuar nga autoritetet maqedonase që në një afat prej një jave të dërgojnë materiale për kontroll sistematik të të gjitha prodhimeve të eksportuara si dhe konkluzione mbi origjinalitetin e certifikatave shoqëruese. Maqedonia duhet të vërtetojë se frutat dhe perimet që i eksporton në Rusi janë prodhime maqedonase.

Për shkak të dyshimeve të reja, Maqedonisë mund t’i ndalohet eksporti i prodhimeve ushqimore në tregun rus. Këmbimi i përgjithshëm i mallrave midis Maqedonisë dhe Rusisë në gjysmën e parë të vitit ka arritur në mbi 74 milionë dollarë. Maqedonia kryesisht eksporton verë, rrush dhe perime.

(o.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb