Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se Marina franceze ka ndaluar një anije cisternë të vendosur nën sanksione ndërkombëtare, e cila ishte nisur nga Rusia.
Sipas Macron, operacioni është zhvilluar dje në Oqeanin Atlantik, me mbështetjen e disa partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe Britaninë e Madhe, dhe në përputhje të plotë me ligjin detar ndërkombëtar. Në një reagim në rrjetin social X, ai theksoi se veprime të tilla janë të papranueshme, duke akuzuar anijet që shmangin sanksionet se shkelin rregullat ndërkombëtare dhe kontribuojnë në financimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“Është e papranueshme që anijet të anashkalojnë sanksionet ndërkombëtare, të shkelin ligjin e detit dhe të financojnë luftën që Rusia ka zhvilluar kundër Ukrainës për më shumë se katër vjet”, u shpreh Macron.
Ai shtoi gjithashtu se anijet që operojnë jashtë rregullave detare përbëjnë një rrezik më të gjerë, jo vetëm për sigurinë e lundrimit, por edhe për mjedisin. “Këto anije, të cilat nuk respektojnë rregullat bazë të lundrimit detar, përbëjnë gjithashtu një kërcënim për mjedisin dhe sigurinë e të gjithëve”, paralajmëroi presidenti francez.
