Studiuesi dhe eksperti i trashëgimisë kulturore Auron Tare ka ngritur shqetësime mbi projektet e marinave turistike në Shqipëri, duke theksuar se mungesa e studimeve të mirëfillta dhe e infrastrukturës bazë mund të sjellë pasoja negative afatgjata për zhvillimin bregdetar.
Në deklaratën e tij në emisionin “Kjo Javë” në News24 Tare u shpreh se vendi nuk ka aktualisht ekspertizën e nevojshme për ndërtimin dhe menaxhimin e marinave turistike, duke kujtuar se në të kaluarën janë angazhuar specialistë të huaj të cilët kanë vlerësuar se këto projekte nuk janë gjithmonë ekonomikisht të qëndrueshme.
Sipas tij, për funksionimin e një marine moderne nevojiten rrugë të mira, aeroporte, hekurudha, furnizim i qëndrueshëm me energji dhe ujë, si dhe industri mbështetëse për riparimin e jahteve. Duke iu referuar projekteve të marinave në Shqipëria, ai ironizoi pritshmëritë për ankorimin e jahteve të miliarderëve botërorë, duke përmendur emra si Jeff Bezos, dhe duke e quajtur këtë ide “një shaka të madhe” në kushtet aktuale.
“Duhet një studim i mirëfilltë nga ekspertë. Në dijeninë time, Shqipëria nuk ka pasur specialistë të mirëfilltë të marinave turisike, ndaj në atë kohë solla në Shqipëri 2 persona, që pasi panë vijë bregdetare shqiptare thënë që marinat në vend tonë nuk dalin rentabël. Mali i Zi dhe Kroacia kanë një infrastrukturë të mirë të marinave. Greqia ka marina të klasit të lartë. Për të pasur një marinë duhen rrugë të mira, aeroport, hekurudhë, ujë drita.
Çdo marinë duhet të ketë një industri të riparimit të jahteve dhe duhet të ksh qytete të bukura. Nëse mendoni se Jeff Bezos do të ankorojnë jahtin e tyre në Shëngjin, Vlorë, Sarandë, është një shaka shumë e bukur. Përpos paditurisë të atyre që kanë ngritur dorën për këtë ligj, barra do t’u bjerë investitorëve. Deputetët ikin në shtëpi e nuk i mban më mend njeri.
Investitorët me shumë mundësi nuk do të kenë rezultatin që presin dhe ne do të kemi porte që do të kenë probleme në të ardhmen.
Me ligje speciale bregdeti është shitur, jo po shitet. Po të shihni mënyrën e operimit, jugu nga Llogaraja e poshtë e ka humbur shpresën që do të kishte nëse do të bëhej e planifikuar me arkitekturën vendase jo një mish mash arkitekture me asnjë lidhje me Shqipërinë. Mendoj unë, isha në Bejrut, me shumë mundësi edhe ne do të përfundojmë ashtu. Pati një boom turistik. Pati shumë ndërtime të gabuara, prishi arkitekturën mesdhetare, bëri një mish mash pallatesh, përpos luftës por pjesa turistike ishte e shkatërruar. Hotele prej vitesh nuk hapen kanë falimentuar”, tha ai.
