*Rrefimi i plote me video tek Ardit Gjebrea
NGA XHENSILA KODRA
TIRANE- Rrëfimi nga burgu i Marjan Rrokut ka indinjuar pjesëtarët e familjes Canaj. Versioni i dhënë nga ish-agjenti i SHIKut për vrasjen e nënë e bijë të ndodhur në mars të vitit 2001, nuk është i vërtetë për motrën dhe vajzën e viktimave. Gjatë intervistës nga qelia, Rroku deklaroi se në asnjë moment nuk ka pasur lidhje intime me 16-vjeçaren Alda Canaj, por me një shoqen e kësaj të fundit. Ndërkaq, Ornela Canaj rikthehet pas në kohë dhe publikon një letër që autori i vrasjes së nënës dhe motrës së saj, ka dërguar pas krimit në disa media, ku bënte me dije se Aldën e donte shumë, por ajo e kishte tradhtuar.
“Ja dhe letra e parë që krimineli Marjan Rroku i dërgoi gjithë shtypit pasi gjakftohtësisht vrau nënën dhe motrën time. Siç mund ta imagjinoni, kjo është një tjetër nga të vërtetat e tij. Sërish dua t’i them Ardit Gjebreas që, nuk e meriton titullin gazetar! Një emision shalaban, pa fakte, thjesht i bazuar në fjalët e një krimineli mashtrues që vazhdon të manipulojë publikun shqiptar!”, shkruan Ornela në “Facebook”. Në shkrimin e bërë publik në atë kohë, “Marjan Rroku: E kam dashur shumë Aldën. Më pranoi dhe më tradhtoi me Marselin”, autori i krimit tregonte për herë të parë rrethanat në të cilat ishte njohur me Aldën dhe lidhjen që kishte pasur me të.
“Me Aldën jam njohur ditët e para të nëntorit të 1999- ës, nga e motra Ornela. Për herë të parë e kam takuar në një mbrëmje para godinës 12 në Qytetin Studenti”, thuhet në letrën e bërë publike nga Ornela. Ndërkohë, pas vënies në pranga të ish-agjentit të SHIK-ut, ky i fundit ka kërkuar që të mos bëhet ekstradimi i tij nga Amerika në Shqipëri, pasi kishte frikë nga ndonjë hakmarrje e mundshme nga familjarë të familjes Canaj.
RRËFIMI I RROKUT DY DITË MË PARË
Në intervistën që Rroku dha dy ditë më parë për Ardit Gjebrean bie ndesh me atë çfarë ka pohuar 15 vite më parë. Gjatë fjalës së tij, ku ka pranuar vrasjen e 2-fishtë, ai ka treguar se e kishte qëlluar Alda Canajn sepse kjo e fundit ishte futur në mes të një dashurie që ai kishte për një shoqen e saj. Ai ka sqaruar se me Aldën nuk ka pasur asgjë më shumë se shoqëri, të cilën e quante më shumë se motër. “Në 2001-shin, unë kam bërë diçka që s’e kisha menduar as unë, as familja ime, as kush më ka njohur. Kam vrarë dy vetë. Unë jam dënuar me burgim të përjetshëm”, – ka rrëfyer Rroku. Më tej, ai ka sqaruar se për vrasjen që ai ka kryer janë tri versione të historisë.
“Një që është treguar në Shqipëri, një në Amerikë dhe është një që është këtu, që po e tregoj unë. Alda nuk ka qenë e dashura ime, siç thuhet në Shqipëri, as nuk e kam dashur për trafikim femrash, siç është bërë një histori në Amerikë. Ishte thjesht shoqe. Domethënë, ne 3 shokë dolëm disa herë me to, që ishin 3 shoqe, dhe qëllimi ishte që unë të njihesha me atë tjetrën nga Shkodra, që s’ka kuptim t’ia përmend emrin. Nuk është Alda. Në Shqipëri dihet që ishte një histori dashurie, se unë rashë në dashuri me Aldën, u bëra xheloz dhe e rraha etj. S’është kjo. Ne dilnim të gjithë grup, 6 vetë. Diçka shumë normale, si shokë. Por është e vërtetë që Alda vinte më takonte mua më shpesh. Kurrë s’e kam konsideruar si të dashurën time. E kam konsideruar më tepër si motrën time sesa të dashurën time”, – ka treguar Marjan Rroku në lidhje me motivin e krimit.
Rrefimi i plote te Gjebrea
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
