Mark Markez i afrohet gjysmës së dytë të Kampionatit Botëror Moto GP-së, teksa shfaqet i kujdesshëm. Piloti i Dukatit, pavarësisht paraqitjeve spektakolare gjatë këtij sezoni, mban edhe një herë tjetër profil të ulët në prag të Çmimit të Madh të Republikës Çeke.
“Sigurisht, vijmë në Brno më përpara sesa e prisja. Mendoja që do të luftoja për titullin, ky ishte qëllimi dhe nuk kam fshehur kurrë, por jo me këtë avantazh. Megjithatë kanë mbetur ende 11 gara, kështu që ajo që ndodhi në 11 gara mund të ndodhë anasjelltas, dhe ne duhet të vazhdojmë me të njëjtin intensitet”, shprehet Markez para eventit të Çekisë. I pyetur nëse do të rrezikojë në këtë garë, apo do të tregohet i kujdesshëm, lideri i kampionatit deklaron:
“Varet se si do të ndihem. Natyrisht, nuk dua kurrë të marr rreziqe dhe të drejtoj si i çmendur pa menduar për asgjë. Thënë thjesht, nëse e ndiej, pse jo? Kur jam relaksuar shumë, kam bërë edhe gabime. Nëse do të ketë 2-3 rivalë më të shpejtë se unë, atëherë do të duhet ta pranoj, dhe është më mirë të marr 10 pikë sesa 0”, shprehet Mark Markez.
FITUESIT NË BRNO- Për herë të parë në Brno është garuar 60 vite më parë, por në katër edicionet e fundit, ky cirkuit nuk ka qenë në kalendarin e Moto GP. Pista shpesh u ka buzëqeshur italianëve: shtatë fitore secili për Xhakomo Agostinin, Maks Biaxhin dhe Valentino Rosin. Megjithatë, duke marrë parasysh vetëm pilotët që garojnë në Kampionatin Botëror 2025, mbajtësi i rekordit është Mark Markez, i cili regjistron katër fitore në Çmimin e Madh të Çekisë dhe tri prej tyre i ka në klasin e lartë, në Moto GP.
AXHENDA – Për sa i përket axhendës, fundjava e Brnos do të hapet sot me sesionin e parë të provave të lira në orën 10:45, ndërsa në orën 15:00 do të mbahen parakualifikueset. Më tej, të shtunën, në orën 10:10, do të nisë sesioni i dytë i provave të lira, për të vijuar në 11:05 me kualifikueset dhe në orën 15:00 me garën Sprint. E diela, në orën 14:00, do të shënojë startin e Çmimit të Madh. Me mbylljen e eventit në Çeki, Botërori do të ketë më pas pauzën verore, për t’u rikthyer në mesin e muajit gusht në Austri.
