Mark Markez ishte i ftuar në emisionin “El Objetivo” të Ana Pastor në “La Sexta”, ku në një intervistë shumë personale foli për dhimbjen, shëndetin mendor, famën, paranë dhe të ardhmen e tij në Moto GP.

Nëntë herë kampioni i botës, i cili së shpejti mbush 33 vjeç, pranoi se çështja e tërheqjes nga garat është gjithnjë e më reale: “Gjëja më e vështirë për një sportist është të dijë kur dhe si të tërhiqet. Unë e di që do të tërhiqem më herët, sepse trupi do të më detyrojë, jo mendja. Mendërisht ndihem shumë mirë, por çdo vit duhet të kuptoj si po reagon trupi im”.

Markez theksoi se suksesi dhe fama nuk e kanë ndryshuar thelbësisht dhe se rrethi i njerëzve të sinqertë është thelbësor për të qëndruar me këmbë në tokë. Ai pranoi se me kalimin e viteve është bërë më i ndjeshëm dhe më i vetëdijshëm për kufijtë e tij. “Po, është e nevojshme që dikush të të rikthejë me këmbë në tokë. Jo çdo ditë, por herë pas here, që të të thotë të frenosh pak ose të menaxhosh më mirë gjërat. Kur je 32 vjeç fillon ta kuptosh, por në moshën 25, 26 apo 27- vjeçare, jo.

Kam pasur fatin e madh të kem gjithmonë një rreth shumë të shëndetshëm, të njëjtët njerëz, persona që të thonë si të mirën ashtu edhe të keqen. Ndoshta në fillim kritikat nuk i pranon, por kur i mendon, reflekton. Është e rëndësishme që rrethi yt të jetë i lirë të të thotë gjithçka, përndryshe nuk është rreth, janë skllevër”, shprehet spanjolli. Markez foli edhe për raportin me paranë, për mënyrën se si e menaxhon diferencën ekonomike me miqtë dhe partneren:

“Gjithmonë përpiqem që kur bëj plane me miqtë e mi të mos ndihen keq për shkak të dallimeve ekonomike. Për shembull, në verë shkojmë me pushime: unë marr me qira vilën, ata merren me gjëra të tjera. Me të dashurën ndodh e njëjta gjë. Janë gjëra natyrale që dalin vetë, marrëveshje të heshtura”. I pyetur për Valentino Rosin dhe përplasjen e famshme të Sepangut, e cila mbushi dhjetë vjet në tetor 2025, Markez deklaron: “Është normale që të pyesin. Të jetosh me mllef është shumë e vështirë.

Nuk dua që tifozët e mi të mbajnë inat, dua ta përdorin energjinë për të më duartrokitur mua. Kur u dëmtova, ishte për shkak të një piloti tjetër. Ai bëri një gabim, por askush nuk gabon me qëllim. Ndonjëherë njerëzit nuk e kuptojnë këtë”. Në fund, ai është kategorik për idenë e të pasurit një fëmijë pilot: “Nuk do të më pëlqente. Mendoj vetëm: ‘I gjori djalë apo vajzë’. Nuk e kupton derisa bëhesh prind. Unë jam shumë mbrojtës dhe trashëgimia, mbiemri, nuk do ta ndihmonte aspak. Do të thoshin se ka arritur për shkak të emrit. Nëse nuk i mungon asgjë, nuk do ta ketë të njëjtën uri. Jo, më mirë top futbolli, raketa e tenisit apo çfarëdo tjetër”, përfundon kampioni i botës në Moto GP.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb