Me 200 garat e tij në Moto GP të kurorëzuara me festën në triumfit në Gjermani, Mark Markez ka analizuar karrierën e tij në një intervistë për “DAZN”. Piloti spanjoll flet për pjesën më të madhe të karrierës së tij në kategorinë kryesore të Motoçiklizmit Botëror, duke u përqendruar në secilën prej figurave që përbëjnë trashëgiminë e tij, si dhe marrëdhënien që ka pasur me disa nga rivalët më të mëdhenj që nga debutimi në vitin 2013.

PEDROSA – Disa rivalë kanë lënë ndikim tek ai gjatë fazave të ndryshme të karrierës, por askush më shumë se Dani Pedrosa. “Mësova shumë prej tij, kur e kisha shok të ekipit. Pedrosa është ai që më mësoi më shumë se si të drejtoj në Moto GP. U përpoqa të drejtoj si ai, por me më shumë forcë dhe pak më agresivisht”, thekson Mark Markez.

ARMIQËSIA – Nga ana tjetër, “armiqësia” me Valentino Rosin nuk është zhdukur, ajo vazhdon ende. Megjithatë, ish-kampioni italian mbetet rivali, me të cilin ai është lidhur më ngushtë. “Doktori” kaloi nga ta quajturit Mark Markezin si një version të përmirësuar të vetes në përkufizimin e tij si një pilot të rrezikshëm për sportin. Ftohja mes dy pilotëve filloi në fund të sezonit 2015, kur italiani akuzoi “93”-shin për ndihmën që i dha Horge Lorencos për të fituar Kampionatin Botëror, deri në Çmimin e Madh të San Marinos 2018, kur piloti i atëhershëm i Yamahas refuzoi t’i shtrëngonte dorën rivalit spanjoll në konferencën për shtyp. Tashmë, kur u pyet nëse për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tij me Valentinon, Markez u përgjigj drejtpërdrejt dhe shkurt: “Kur diçka nuk varet vetëm nga një person, nuk mund të thuash, nuk jam i interesuar, jo”, duke përjashtuar çdo mundësi pajtimi mes dy prej pilotëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

REKORDET – Markez këmbëngul se ai kurrë nuk ka qenë veçanërisht i përqendruar te numrat në karrierën e tij. “Gjatë gjithë karrierës sime nuk jam fokusuar asnjëherë te numrat dhe statistikat. Nuk e dija sa fitore kishte Agostini apo Valentino”, shpjegon 32- vjeçari i Dukatit. Megjithatë, Markez thekson se numri i 89 fitoreve të Rosit në Moto GP, është një numër që ai e sheh si “të vështirë” për t’u barazuar, teksa aktualisht “Kanibali” numëron 69 triumfe në klasin mbretëror.

Megjithatë, nga ana tjetër, ai pranon se barazimi i 7 kampionateve botërore të italianit në Moto GP mund të jetë më i realizueshëm, veçanërisht këtë sezon, me pilotin e Dukatit që po dominon totalisht, duke kryesuar me një epërsi prej 83 pikësh ndaj vendit të dytë, që mbahet nga vëllai i tij, Aleks Markez. Kështu pas triumfit në Saksenring të dielën e kaluar, Mark Markez është 20 fitore pas Rosit, si piloti më i suksesshëm në historinë e Moto GP-së. Me 11 gara të mbetura në sezonin aktual dhe superfuqinë e Dukatit, Mark Markez mbetet në radhën e parë të nisjes për të vendosur rekorde të tjera në Moto GP.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb