Kompanitë ruse të energjisë së shpejti do të devijojnë një pjesë të furnizimeve të tyre me gaz të lëngshëm nga Evropa në Azi – me urdhër të presidentit Vladimir Putin, tha sot zyrtari i lartë qeveritar, Alexander Novak në Moskë.
“Kompanitë nuk mund të ngarkohen me sanksione të mëtejshme nga Brukseli dhe po e kthejnë vëmendjen e tyre drejt Lindjes”, tha Novak, zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet e energjisë.
Novak përmendi Indinë, Tajlandën, Filipinet dhe Kinën si partnerë të mundshëm për kontrata afatgjata.
Çmimet e gazit janë rritur ndjeshëm ditët e fundit për shkak të luftës në Iran.
Me trafikun detar në Gjirin Persik të kufizuar nga kriza dhe të ardhmen e prodhimit të naftës dhe gazit në rajon aktualisht të pasigurt, tregjet globale reaguan me luhatje të ndjeshme të çmimeve për lëndët e para.
Në këtë kuadër, presidenti rus Vladimir Putin tashmë la të kuptohej për një kthesë të mundshme drejt Lindjes në një intervistë dje për televizionin shtetëror.
“Meqenëse, tani po hapen tregje të reja, mund të jetë më mirë të ndalen menjëherë furnizimet në Evropë”, tha kreu i shtetit rus.
“Me udhëzimin e Putinit, qeveria në bisedime me kompanitë, ka vendosur që një pjesë e vëllimit të gazit të lëngshëm që aktualisht shkon në Evropë dhe tregjet evropiane do të ridrejtohet në tregje të tjera”, tha Novak.
“Këto janë tregje ku tani ka kërkesë dhe ku po vendosen marrëdhënie konstruktive dhe pragmatike me ne”, shtoi ai.
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian janë të tendosura për shkak të luftës në Ukrainë, të cilën Putini e filloi në vitin 2022 me një pushtim në shkallë të plotë.
BE vendosi sanksione ndaj Rusisë në përgjigje. Furnizimet me gaz kanë rënë ndjeshëm, por Evropa ka vazhduar të importojë gaz natyror të lëngshëm me vlerë 7,4 miliardë euro nga Rusia vitin e kaluar.
