Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të udhëtojë në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump javën e ardhshme. Këtë e bën të ditur faqja informative “Walla”, duke cituar tre burime izraelite dhe amerikane sipas të cilave kryeministri pritet të udhëtojë në Uashington më 3 shkurt.
Sipas gazetës izraelite “Ynet”, Trump do të përdorë potencialin e marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet me sauditët dhe vendet e tjera myslimane për ta shtyrë kryeministrin që të mos rifillojë luftën.
Ndërkaq i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff pritet në Izrael të mërkurën më 29 janar, ku do të takohet me kryeministrin izraelit dhe ministrin për çështje strategjike, Ron Dermer, sipas gazetës “Ynet”. Tema e pengjeve, situata në Liban dhe normalizimi i marrëdhënieve me Arabinë Saudite do të jenë disa nga temat kryesore që do të diskutohen.
Mediat izraelite shtuan se takimi do të varet edhe nga shëndeti i Netanyahut i cili para disa kohësh iu nënshtrua një operacioni.
(BalkanWeb)
