Kryeministri Edi Rama ka dhënë një koment në lidhje me një artikull të gazetës “Haberturk”, ku thuhej se pala turke kishte ndikuar në prishjen e marrëveshjes së 2009-ës mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen detare.

Gazetari i ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Osman Stafa pyeti Ramën për deklaratën e admiralit Cihat Yaycı për këtë marrëveshje, ndërsa kryeministri e mohoi. Teksa nuk i fshehu ironitë, Rama shigjetoi median turke me nofkën ‘kazan’ duke shtuar se të tillë ka kudo.

“Në mos gabohem, fjala kazan vjen nga turqishtja. Po, nga turqishtja! Kështu që kazani nuk është ekskluzivisht shqiptar. Kazani nuk ka vetëm në Shqipëri, por dhe në Turqi. Kazan ka dhe në Greqi. Në një kazan në Greqi flitej për një marrëveshje të fshehtë për t’i falur Turqisë Pashalimanin me synimin që të bënim një agresion natën ndërkohë që Greqia ishte gjumë. Kishte dhe një kazan në Angli që thoshte që në një restorant në Shqipëri hahej mish ariu. E patë? Arinjtë nuk janë për shitje, por i kemi në proces dialogu. Dakord?! Faleminderit.”,- përfundoi Rama.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb