Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë historike që synon të kufizojë aftësinë e Presidentit Donald Trump për të ndërmarrë veprime ushtarake të njëanshme kundër Iranit pa miratimin e Kongresit.

Rezoluta u miratua me 50 vota pro dhe 48 kundër, falë mbështetjes së katër senatorëve republikanë – Rand Paul, Lisa Murkowski, Susan Collins dhe Bill Cassidy – të cilët votuan së bashku me demokratët. Nga ana tjetër, senatori demokrat John Fetterman votoi kundër masës.

Dokumenti ishte miratuar më herët edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe i kërkon presidentit që t’i japë fund operacioneve ushtarake ose të sigurojë autorizimin formal të Kongresit. Kjo është hera e parë që nga miratimi i Aktit të Pushteteve të Luftës në vitin 1973 që të dyja dhomat e Kongresit miratojnë një masë të tillë.

Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë pas votimit, duke e cilësuar rezolutën si të “parakohshme dhe të pakuptimtë”. Në një postim në rrjetin e tij social “Truth Social”, ai akuzoi senatorët që mbështetën nismën se po i dërgonin sinjale dobësie Iranit dhe po ndihmonin një shtet që e konsideron sponsor të terrorizmit.

Trump deklaroi se katër republikanët që votuan kundër qëndrimit të tij “vetëm sa ia vështirësuan punën”, por shtoi se do ta çojë përpara politikën e tij “në një mënyrë ose në një tjetër”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb