Një analizë e shkurtër e procesit një-shekullor të zhvendosjes strategjike greke në tokë, në det, në identitet dhe në institucione. Marrëveshja e 16 dhjetorit nuk mbyll asgjë – ajo hap fazën finale të projektit grek ndaj Shqipërisë

Në 16 dhjetor të këtij viti, në një takim mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë pritet të nënshkruhet nëj marrëveshje dypalëshe, e cila përbën një nga zhvillimet më të ndjeshme në marrëdhëniet shqiptaro-greke, sidomos për shkak se përmbajtja e saj që, si gjithmonë, mbetet e paqartë dhe qëllimisht mbahet larg opinionit publik. Nuk është rastësië që ojekti i marrëvesjes mbahet sekret; kjo fshehtësi buron nga natyra e çështjeve që do negociohen – sidomos deti, statusi i minoritetit dhe konfigurimet territoriale në jug – fusha që prekin drejtpërdrejt sovranitetin e vendit. Sa herë që diskutohet për territore, kufij, hapësira detare apo kompetenca administrative, palët preferojnë sekretin, sepse marrëveshje të tilla kanë kosto të lartë politike. Përndryshe, transparenca do të rriste reagimin publik dhe institucional, prandaj procesi mbahet i mbyllur, hermetik, ndërsa vendimmarrja shtyhet drejt një fakti të kryer që publiku e mëson vetëm pasi të jetë firmosur. Historia na ka provuar që marrëveshjet me dritëhije, sidomos kjo e 16 Dhjetorit që ka më shumë hije, gjithmonë kanë qenë në dëm të kombit tonë.

Marrëveshja e 16 dhjetorit nuk është fundi i problemeve me Greqinë; është thjesht një nga fayat përfundimtare të një projekti afatgjatë që ka më shumë se një shekull që zhvillohet. Nga këndvështrimi i një analize të politikës së jashtme, kjo marrëveshje nuk përfaqëson as arritje diplomatike dhe as mbyllje kapitulli në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Përkundrazi, ajo është një element organik i një procesi të qëndrueshëm në kohë, i cili synon të zhvendosë kufijtë politikë dhe kulturorë të Shqipërisë drejt një realiteti të ri, ku Greqia fiton terren në tokë, në det, në narrativë, në trashëgimi kulturore, në identitet dhe në institucionet kritike të vendit.

Le të analizojmë me rradhë të gjitha fazat dhe hapat e ndërmarra nga pala greke në kohë për realizimin e këtij projekti.

Fshirja demografike dhe manipulimi identitetar
Për Greqinë, detyrat e shtëpisë në këtë projekt janë kryer prej kohësh. Procesi vazhdon vetëm për Shqipërinë, dhe jo sepse Greqia është e fortë, por sepse qeveritë shqiptare, të kapura ose të trembura, nuk kanë vendosur kurrë një vijë të kuqe kombëtare. Fillimi i gjithë këtij cikli lidhet me genocidin dhe spastrimin etnik të popullsisë çame në vitet 1922-1924 dhe 1944-1945, i cili shënoi debimin fizik të komunitetit autokton, fshirjen e toponimeve çame dhe zëvendësimin e tyre me emërtime greke, si dhe zhdukjen e origjinës çame nga dokumentet zyrtare shpesh duke ndaluar përdorimin e vendlindjeve historike në gjuhën shqipe. Shqipëria, fillimisht me heshtje dhe më pas me akte administrative, pranoi këtë realitet të ri. Ky është shembulli klasik i fshirjes demografike dhe rishkrimit të identitetit, i përdorur në mënyrë të qëndrueshme si instrument gjeopolitik.

Manipulimi identitar ka qenë një tjetër element kyç i këtij projekti. Qindra mijëra shqiptarë që emigruan në Greqi u detyruan të ndryshonin emrat për të marrë dokumentet e qëndrimit, ndërkohë që Shqipëria legalizoi deklarimin subjektiv të etnisë sipas mënyrës se si “ndihet” individi, duke hapur rrugën e një procesi që në praktikën ndërkombëtare njihet si shfrytëzimi i vetëdeklarimit etnik për përfitime politike dhe territoriale. Kjo metodë është tashmë e njohur në rastet e aneksimeve graduale në Ballkan.

Në këtë vijë vjen edhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë greke në komunitetin ortodoks shqiptar përmes financimeve masive të ndërtimit të kishave që nuk përputhen me stilin autoqefal shqiptar me çati, por imitojnë modelin bizantino-helen, atë me kube. Arkitektura me kube, e cila nuk është karakteristike për kishën autoqefale shqiptare që tradicionalisht ndërtonte me çati, është imponuar si simbol uniformizimi kulturor. Një element edhe më i rëndë ishte emërimi i Janullatosit, një shtetas dhe kombas grek, në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare në kundërshtim me rregullat e saj të brendshme. Kjo është ajo që në teorinë e sigurisë quhet operacion ndikues përmes institucioneve fetare, me objektiv ndryshimin e strukturës identitare të komuniteteve.

Përgatitja graduale infrastrukturore, civile dhe ushtarake
Procesi vazhdon me riformatimin administrativ të Shqipërisë, ku Greqia po shtyn për zgjerimin e njësive administrative me minoritet grek dhe afrimin e tyre me kufirin, duke krijuar një korridor të kontaktit territorial. Ky është një hap i njohur nga praktikat e aneksimit gradual, i ngjashëm me modelet e përdorura në Transnistria, Donbas dhe Krajinë. Qëllimi nuk është administrativ; është përgatitja e një infrastrukture që mund të mbështesë në të ardhmen një status autonom.
Paralelisht, në jug po ndodh një degradim i qëllimshëm i infrastrukturës ushtarake shqiptare. Bazat strategjike që dikur shërbenin si barriera kundër pretendimeve territoriale po shndërrohen në zona civile ose turistike. Në doktrinën e sigurisë ky fenomen njihet si demilitarizim strategjik i zonave të synuara për destabilizim territorial.

Toponimet e shenjta dhe përkatësia kulturore
Një element tjetër i rëndësishëm i këtij mozaiku është vendosja e varrezave të ushtarëve grekë në territorin shqiptar, shpesh me eshtra që nuk i përkasin ushtarëve grekë, madje me materiale të sjella nga vende të paidentifikuara. Kjo përbën fabrikim narrativ dhe juridik, përmes të cilit krijohet një prezencë fizike e pakthyeshme, një pozicionim moral për pretendime të ardhshme dhe një seri vendesh me status të veçantë që mund të përdoren si mjet presioni. Kjo metodë, e njohur si mekanizëm presioni (leverage) përmes vendeve të shenjta, funksionon si mjet për të forcuar pretendimet politike.

Në të njëjtën kohë, trashëgimia kulturore shqiptare, sidomos në jug, po i nënshtrohet një procesi agresiv riemërtimi. Vepra të zonës së Çamërisë dhe elementë të tjerë të trashëgimisë po riinterpretohen si pjesë e kulturës greke përmes projekteve, fondeve dhe institucioneve të financuara nga Athina, ndërkohë që Shqipëria hesht. Ky proces njihet ndërkombëtarisht si ribrandim i trashëgimisë, një mjet i qartë i fuqive që synojnë të ndryshojnë identitetin kulturor të zonave të caktuara.

Kurthi detar
Dimensioni detar është po aq i rrezikshëm. Marrja e hapësirës detare nga Greqia e çon Shqipërinë drejt një skenari ku rrezikon të humbasë aksesin e drejtpërdrejtë në ujërat ndërkombëtare në jug. Ky fenomen, i njohur si entrapment detar, e vendos Shqipërinë në pozitën ku çdo lëvizje detare ose duhet të kalojë përmes ujërave greke, ose duhet të ngjitet më në veri për të shmangur rrethimin. Kjo është një goditje strategjike, jo teknike, me pasoja të gjera për sovranitetin dhe ekonominë.

Natzra e marëdhënies dypalëshe dhe presioni në emër të saj
Në nivel politik, marrëdhëniet shqiptaro-greke karakterizohen prej më shumë se tridhjetë vitesh nga dy instrumente të pandryshueshme të njëanshme: veto greke në përpjekjet e Shqipërisë për integrim dhe operacionet e pastrimit të emigrantëve, të njohura si “Operacionet Fshesa”. Kjo është forma klasike e bilateralizmit shtrëngues, ku një shtet i madh përdor presionin ekonomik dhe institucional për ta detyruar një shtet më të vogël të lëshojë terren.

Pavarësisht retorikës së Tiranës, marrëveshja e 16 dhjetorit nuk mbyll asgjë. Ajo nuk zgjidh problemet, nuk ndalon proceset gjeopolitike dhe nuk prek burimin e vërtetë të tensioneve. Përkundrazi, e çon Shqipërinë në fazën e fundit të një projekti që Athina e ka zhvilluar me koherencë për dekada. Ky nuk është as fillimi e as fundi i historisë, por momenti kur Greqia po korr rezultatet, ndërsa Shqipëria, e kapur nga brenda, firmos nën presion dhe pa asnjë vizion strategjik.

Në artikullin pasuese do të fokusohem te pasojat e drejtpërdrejta dhe afatgjata që do të godasin Shqipërinë nëse marrëveshja ratifikohet. Nuk bëhet fjalë për thjesht një dokument juridik, por për hapjen e një zinxhiri efektesh strategjike që prekin sovranitetin detar, ekuilibrat demografikë, kufijtë administrativë, manovrueshmërinë ushtarake dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit. Ratifkimi i marrëveshjes nuk do të sjellë stabilitet; përkundrazi, do të aktivizojë fazën më të rrezikshme të projektit grek, ku çdo element që është ndërtuar gjatë dekadave të fundit fillon të marrë formë operative. Shqipëria hyn në territor ku kthimi pas bëhet pothuajse i pamundur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb