Deputetja demokrate Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ka shprehur mbështetjen e saj për projektligjin për njohjen e pensioneve me Italinë, por ngriti shqetësim për reformën e pensioneve në vendin tonë.

Ajo u shpreh se të dhënat e INSTAT dhe EUROSTAT tregojnë se reforma ka dështuar, teksa shtoi se është emergjente një reformë e re.

Fjala e plotë:

Të nderuar kolegë, qytetarë shqiptarë që sot fatkeqësisht jeni larguar dhe prisni një pension dinjitoz jashtë Shqipërisë ndërkohë që treguesit për këtu në Shqipëri vazhdojnë e përkeqësohen cdo ditë, por ajo që është më e rëndësishme të nderuar qytetarë shqiptarë që sot jetoni në Itali , më në fund ashtu sic e tha Ministri,me marrëveshje të nisura që nga viti 2005 dhe më vjen mirë që ai e përmendi vitin 2005 si referencë.

Mbas negociatave shumë të gjata,të cdo qeverie por ajo që është më e rëndësishme mbas një propozimi dhe një dekreti i cili quhet dhe është depozituar në Senatin Italian, sot kemi mundësinë që të diskutojmë në lidhje me marrëveshjen e pensioneve për shqiptarët që jetojnë në Itali, që janë larguar në breza në fakt, që janë larguar hershëm, që jane larguar si rezultat i shumë faktorëve nga Shqipëria por që sot mund ti njihet puna dhe kontributi i tyre.

Thënë kjo, marrëveshja në fjalë është diçka që e bashkon politikën, një marrëveshje që të dyja palët politike besoj do ta votojnë në këtë Parlament dhe do ta mbështesin sepse është diçka që nuk lidhet me askënd nga ne këtu, lidhet me ato që janë jashtë kësaj salle, fatkeqësisht janë larguar nga Shqipëria.

Por si ndodhet situata e pensioneve dhe kush janë sfidat që ne duhet të përballemi? Së pari besoj për të gjithë lind natyrshëm pyetja: Kush janë vendet e rradhës me të cilat do vazhdojë qeveria shqiptare për të negociuar për pensionet dhe ku ndodhemi në lidhje me diskutimet me Greqinë që është vendi që ka numrin më të lartë të pensionistëve. A kanë avancuar diskutimet teknike? A kanë avancuar diskutimet me angazhimin politik? A kemi sot nodnjë informacion se ku ndodhemi për sa i përket negociatave të pensioneve dhe të mbi 700 mijë shqiptarëve që sot fatkeqësisht janë larguar në drejtim të Greqisë.

Së dyti, cfarë ka ndodhur me reformën e pensioneve që u miratua në vitin 2014 dhe që sot ka një piëkpyetje të madhe e cila kalon përtej shifrave.Ka një pikëpyetje të madhe e cila lidhet edhe me politikat e majta që kjo qeveri cuditshëm i braktisi rrugës dhe me politika të majta të cilat duhet të kishin qenë flamuri i një qeverie të majtë dhe me politika që lidhen me jetesën dinjitoze në fund të ditës të pensionistëve sepse bëhet fjalë për mbi 650 mijë pensionistë të cilët presin cdo vit mëshirën e qeverisë për rritjen e pensioneve, për indeksimin mbi normën e inflacionit por njëkohësisht dhe politika që lidhen me pensionin e fshatit, me pensionin e pjesshëm e kështu më rradhë.

Të dhënat janë kokëforta dhe ne nuk patëm mundësi që ti diskutojmë të plota në Komisionin e Ekonomisë dhe si rezultat i zhurmës së përhershme dhe kur interesohesh për të marrë informacione bën keq. Por INSTAT thotë që rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri është rritur me 2% për moshën mbi 65 vjec ndërkohë që në vitin 2022 pensionistët me pensionin tonë të pjesshëm janë 48% e totalit të pensionistëve. Që do të thotë sot 1 në 2 pensionistë e ka pensionin e pjesshëm. Të dhënat e INSTAT dhe EUROSTAT theksojnë që 85% e pensionistëve kryesisht në fshat e kanë të ardhurat e tyre nga pensioni më të ulëta se minimumi jetik dhe është niveli i përcaktuar dhe i llogaritur nga EUROSTAT sepse sic të gjithë e dimë nuk kemi një nivel zyrtar të përcaktuar për sa i përket minimumit jetik.

Shpenzimet për sektorin që lidhet me pagesat e drejtpërdrejta në fushën e pensioneve kanë zbritur në nivelin e 7.3% të PBB krahasuar me vitin 2023 , 7.8% që ishte ky tregues përpara pandemisë. Janë të gjithë tregues që tregojnë se sot politika e pensioneve dështoi , sot pensioni social i proklamuar, i deklaruar nga Qeveria këtu e 8 vite më parë, dështoi si një masë për të nxjerrë një shtresë të madhe të popullisisë dhe pensionistëve nga niveli i varfërisë. Dhe unë e besoj fort në fakt që të gjitha reformat të cilat që prekin më shumë se mandatin e një qeverie duhet të jenë reforma të përbashkëta, duhet të jenë reforma që prekin në thelb sistemin nga njëra anë por nga ana tjetër janë dhe të qëndrueshme në kohë, që nuk ndryshojnë nga njëri vit në tjetrin

Dhe për sa i përket të dhënave edhe dy elementë që unë besoj që janë të rëndësishëm. Sipas të dhënave të Instat, pensioni mesatar në qytet është pothuajse sa 44% e pagës ndërkohë që ai në fshat është më pak se 30% e pagës. Kur flasim për rritjen e pabarazisë dhe për rritjen e hendekut ndërmjet një shtrese që bëhet gjithnjë e më shumë e varfër , që merr gjithmonë më pak por edhe me kostot e jetesës,të një shtrese e cila sot përbën 5% të popullsisë dhe këtu flasim për pagën minimale, nuk po flasim për pagën mesatare, nuk po flasim për të ardhurat të cilat janë shumë më të larta për një grup të caktuar të shoqërisë,kjo diferencë po thellohet gjithnjë e më shumë si rezultat i politikave të qeverisë.

Ndërkohë që viti 2022 është viti exemplar bashkë me vitin 2023, ku kemi pasur një normë inflacioni shumë të lartë. Në disa momente të caktuara mesatarja e vitit ka shkuar pothuajse 6.7% dhe sa janë indeksuar pensionet? Pse nuk bëhet fjalë për rritje pensionesh? Sa janë indeksuar pensionet në vitin kur ka qenë rritja e cmimeve më të larta? 0.7%! Ky është solidariteti i majtë! Kjo është mbështetja e majtë për ato që kanë kontribuar gjithë jetën. Për ato që punojnë me punën , kaq e vlerësojnë punën.Qeveri socialiste. Kaq e vleresojnë, kaq japin shpërblim punës , kaq i vlerësojnë pensionistët dhe që tradicionalisht pensionistët janë një shtresë që e mbështet qeverisjen e majtë.

Sot ndodhemi në këto shifra që janë dramatike, që e bëjnë nevojën për një reform të plotë pensionesh emergjente, jo vetëm për të figuaruar të ardhura dinjitoze për pensionistët po njëkohësisht për t’ju referuar një sektori tradicionalisht të pazhvilluar, për shtyllën e tretë e cila megjithëse është deklaruar fort në shumë diskutime,sot pothuajse ka dështuar cdo politikë dhe cdo reformë në këtë drejtim.

Nuk dua që te dukem më populiste sec duhet për të thënë do ti rrisim pensionet, që do bëjmë namin nëse do kishte një ndryshim qeverisje, as më shumë populiste sec duhet për të thënë se patjetër të marrim sa paga minimale pensionistët,po që një qeveri e majtë ti lërë në mëshirë të rritjes së cmimeve e ti japë vetëm 50 mijë lekë në muaj pensionistëvë kjo për mua është e pakonceptueshme . Një shqiptar e ka më për mbarë të emigrojë e të marrë pensione në Itali, se atje trajtohet me dinjitet, se të marrë pension në shtetin shqiptar.E kur pyesim veten se pse emigrojnë shqiptarët , niveli i jetesës sigurisht që është një nga kryesorët, barazia e asaj që kontribuojnë me atë që marrin, drejtësia në sistem,kushtet ekonomike,hapësira që kanë ato kudo në ekonomi,cështje sociale dhe cdo aferë të jetës. Kështu që këto cështje ne duhet ti marrim parasysh për të zhvilluar një reformë pensionesh e cila e ka seriozisht që ti ofrojë kësaj shtrese të shoqërisë një mënyrë dinjitoze jetese sepse atë po kërkojnë, nuk po kërkojnë lëmoshën elektorale që i jepet cdo vit sa herë që ka zgjedhje, nuk po kërkojnë as lëmoshën e qeverisë e cila sigurisht nuk shkon për to se gjithmonë shkon për pakicën asnjëherë për shumicën dhe nuk po kërkojnë asnjë trajtim preferencial. Për këtë arsye unë besoj që i bëj thirrje kolegëve, më të vërtetë mendoj për njerëzit duke kërkuar që ka ardhur koha të ridiskutojmë sesi sot është zhvilluar reforma e pensioneve, kushtet që kanë sot pensionistët, hapësira që ka për sa i përket pensionit të fshatit, llogaritjet që ne duhet të na vijnë nga Censusi i cili akoma nuk po publikohet . Krahasuar me Kosovën, cdo javë publikon Kosova të dhëna, këtë javë u regjistruan kaq individë, këtë javë kaq %. Ne ndodhemi 6 muaj pas përfundimit të Censusit dhe nuk e dimë sa është popullsia e Shqipërisë, nuk e dimë si është ndarja e shtresave të shoqërisë. Kemi shumë instrumenta të cilët i përdorim politikisht por nuk i përdorim asnjëherë në dobi të ekonomisë, politikave dhe qytetarëve.

Unë dua ta përmbyll duke falenderuar këdo në Senatin italian dhe në Qeverinë italiane për këtë marrëveshje dhe këdo që ka kontribuar që sot ne të kemi mundësi që shqiptarëve në Itali ti japim mundësinë të zgjedhin se ku do e marrin pensionin. Por fatkeqësisht kemi dështuar që ti japim shqiptarëve këtu një trajtim dinjitoz, një pagë dinjitoze, një pension dinjitoz dhe një shpërblim dinjitoz për punën e tyre. Faleminderit!

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: