Një marrëveshje historike është arritur midis eurodeputetëve dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të ndaluar të gjitha importet e gazit rus deri në vjeshtën e vitit 2027, duke i hequr Moskës një nga burimet kryesore të financimit të luftës në Ukrainë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi marrëveshjen si “agimin e një epoke të re, të pavarësisë së plotë energjetike të Evropës nga Rusia”, duke theksuar se vendimi shënon një kthesë strategjike për sigurinë energjetike të kontinentit.
Fundi i importeve në vjeshtën e vitit 2027 shërben si kompromis mes Parlamentit Evropian, i cili kërkonte një afat më të afërt, dhe disa shteteve anëtare që kërkonin më shumë kohë për t’u përshtatur. Komisioneri Evropian i Energjisë, Dan Jorgensen, shprehu entuziazmin e tij për marrëveshjen duke deklaruar se Evropa i jep fund përpjekjeve të shantazhit energjetik nga Kremlini dhe se mbetet e bashkuar në mbështetje të Ukrainës. Ndalimi i kontratave afatgjata të gazit të transportuar përmes tubacioneve pritet të hyjë në fuqi më 30 shtator 2027, me mundësi zbatimi të detyrueshëm deri më 1 nëntor të po atij viti, nëse rezervat energjetike rezultojnë të mjaftueshme. Për gazin natyror të lëngshëm, afatet janë më të shpejta, duke nisur nga 1 janari 2027, ndërsa kontratat afatshkurtra do të ndërpriten gjatë pranverës së vitit 2026 sipas datave të përcaktuara në dokumentet e marrëveshjes. Kompanive evropiane do t’u lejohet të përdorin rastet e “forcës madhore” për të mbrojtur ligjërisht prishjen e kontratave, duke iu referuar ndalimit të ri të BE-së.
Komisioni Evropian ka zgjedhur një propozim ligjor në vend të një pakete sanksionesh për të shmangur një veto nga Hungaria dhe Sllovakia, dy vende të afërta me Moskën që vazhdimisht kundërshtojnë masat kufizuese ndaj Rusisë. Kryeministri hungarez Viktor Orbán e sfidoi hapur BE-në gjatë një takimi me Presidentin Vladimir Putin, duke u zotuar se Budapesti do të vazhdojë të importojë hidrokarbure ruse. Për këtë arsye, kompromisi i ri detyron Komisionin Evropian që në muajt në vijim të paraqesë një plan specifik për ndërprerjen e importeve të gazit rus në Hungari dhe Sllovaki deri në fund të vitit 2027, një mekanizëm i ngjashëm me përjashtimet që këto vende morën për naftën ruse në vitin 2022.
Pothuajse katër vjet pas pushtimit të Ukrainës, Brukseli synon ta privojë Rusinë nga përfitimet ekonomike të hidrokarbureve, të cilat mbeten një burim kryesor financimi për Kremlinin. Pjesa e gazit rus në importet evropiane ka rënë ndjeshëm, nga 45 për qind në vitin 2021 në vetëm 19 për qind në vitin 2024. Megjithatë, ndërsa furnizimet përmes tubacioneve janë kufizuar, Evropa ka shtuar blerjet e gazit natyror të lëngshëm, ku Rusia mbetet furnizuesi i dytë më i madh me 20 për qind të tregut, rreth 20 miliardë metra kub në vitin 2024. Sipas vlerësimeve të Komisionit, importet e gazit rus në BE pritet të arrijnë këtë vit në rreth 15 miliardë euro, një shumë që Brukseli synon ta reduktojë në zero me zbatimin e afateve të reja ligjore. Ky vendim shënon një nga lëvizjet më të rëndësishme të BE-së për të reduktuar varësinë nga energjia ruse dhe për të forcuar pozicionin e saj kundrejt Moskës në një moment kritik për sigurinë evropiane.
It's decided.
Europe is closing the tap on Russian fossil fuels once and for all.
Energy independence starts now ↓ https://t.co/GZGLIKWeXk
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) December 3, 2025
