Pas përfundimit të tubimit përpara godinës së Kryeministrisë, qytetarët nuk janë shpërndarë, por kanë nisur një marshim përgjatë rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Pjesëmarrësit kanë vijuar të kërkojnë me ngulm anulimin e menjëhershëm të projektit të investimit në Zvërnec si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë marshimit rreth qendrës së Tiranës, tonet e revoltës janë ashpërsuar, duke u shoqëruar me thirrje të njëzëshme në kor kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Momenti më i tensionuar i marshimit u shënua teksa turma po kalonte në rrugën pranë Bashkisë së Tiranës. Në fasadën e një pallati aty pranë ishte ndezur një ekran, ku po transmetohej një intervistë e kryeministrit Rama dhënë për një media të huaj.
Pamja e kreut të qeverisë ka irrituar protestuesit, të cilët kanë goditur masivisht me shishe në drejtim të ekranit të madh.
Në të njëjtën kohë, sheshi ka jehuar nga thirrjet e përsëritura në kor “Arresto Belindën”, duke shënjestruar ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
