Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka uruar liderin e Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit, duke vlerësuar njëkohësisht mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në një postim në platformën X, Kos e ka cilësuar procesin zgjedhor si të qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt, duke theksuar rëndësinë e standardeve demokratike në Kosovë. Ajo ka nënvizuar se përparimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian kërkon bashkëpunim mes forcave politike dhe gjetjen e kompromiseve për të siguruar stabilitet institucional.

“Që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike tani duhet të bashkohen dhe të gjejnë kompromis për të ndërtuar stabilitet institucional”, është shprehur ajo.

Komisionerja evropiane gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për të vizituar Kosovën në të ardhmen e afërt, me qëllim intensifikimin e punës për integrimin evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, angazhimi i BE-së mbetet i fortë në mbështetje të reformave dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb