Vllaznia e këtij sezoni po shfaqet si një skuadër e ndërtuar me logjikë, ekuilibër dhe thellësi, duke i dhënë trajnerit Edi Martini alternativa të shumta në çdo repart. Shkodranët jo vetëm që kanë konsoliduar një formacion titullar konkurrues, por kanë ndërtuar edhe një stol të fortë, element ky vendimtar në garën e gjatë dhe të lodhshme drejt titullit kampion.

Duke nisur nga porta, Vllaznia gëzon siguri dhe qetësi. Pohls është kthyer tashmë në një pikë referimi, falë paraqitjeve të qëndrueshme dhe ndërhyrjeve vendimtare që i kanë dhënë besim repartit mbrojtës. Megjithatë, pas tij qëndron një alternativë po aq e vlefshme si Jukaj, i cili sa herë është aktivizuar ka treguar cilësi, refleks dhe gatishmëri, duke garantuar konkurrencë të shëndetshme edhe në këtë repart.

Në mbrojtje, treshja Gurishta-Çelikoviç-Gjini ka funksionuar si një bllok i konsoliduar, duke ofruar stabilitet dhe disiplinë taktike. Ata kanë qenë shtylla e një mbrojtjeje solide, por kontributi i Pusit dhe Bajramit nuk duhet lënë në hije. Aktivizimet e tyre në ndeshje të ndryshme të sezonit kanë treguar se Vllaznia ka alternativa reale dhe të besueshme edhe në prapavijë, pa rënë niveli i skuadrës. Mesfusha mbetet zemra e ekipit, aty ku ritmi dhe loja marrin formë.

Treshja Kallaku-Krymi-Qato është shfaqur si më e konsoliduara, duke kombinuar eksperiencën, forcën fizike dhe kreativitetin. Në të njëjtën kohë, emra si Tafili, Murataj dhe Sala përbëjnë një garanci shtesë, duke i dhënë trajnerit mundësi rotacioni dhe zgjidhje taktike sipas kundërshtarit apo momentit të ndeshjes. Edhe krahët janë të mbuluar mirë, veçanërisht ai i majti, i cili duket i “blinduar” me dy lojtarë cilësorë si Jago dhe Hakaj.

Qershia mbi tortë për Vllazninë mbetet padyshim sulmi. Balaj, Mala dhe Kastrati kanë udhëhequr ekipin me golat dhe lëvizjet e tyre, duke qenë vendimtarë në momente kyçe të sezonit. Prania e tyre në zonë i jep skuadrës rrezikshmëri të vazhdueshme, ndërsa edhe emra si Bismark dhe Dodaj i ardhur se fundmi kanë shtuar edhe më shumë opsionet në fazën ofensive, duke rritur konkurrencën dhe cilësinë. Në këtë kontekst, trajneri Martini gëzon një “luks” të rrallë për kampionatin shqiptar: mundësinë për të zgjedhur, ndryshuar dhe përshtatur ekipin pa kompromentuar performancën. Vllaznia sot nuk varet nga një apo dy individë, por nga një grup i plotë dhe i balancuar, ku edhe stoli ka peshë dhe vlerë.

Pikërisht ky është çelësi i skuadrave kampione. Me një grup të tillë, ku forca nuk qëndron vetëm te formacioni bazë, por edhe te alternativat cilësore, Vllaznia ka të gjitha arsyet të besojë se rruga drejt titullit kampion është më shumë se një objektiv – është një mision real dhe i arritshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb