Ministria e Arsimit dhe Sportit publikoi sot datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2026 për nxënësit që ndjekin arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro informoi se për orientimin e maturantëve gjatë procesit të përgatitjes janë publikuar dhe shpërndarë po ashtu testet model.

Sipas Kumbaros, çdo shkelje e rregullave të provimit parashikon penalizim sipas rregullores.

Datat për provimet e Maturës Shtetërore 2026 janë: Gjuhë e huaj 2 qershor, Gjuhë shqipe dhe letërsi 9 qershor, Matematikë 16 qershor 2026 dhe Provimi me zgjedhje 23 qershor.

Provimet e Maturës Shtetërore 2026 fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.

Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë: Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi, Qytetari, Psikologji, Filozofi, Sociologji, Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.

Testet e provimeve të Maturës Shtetërore 2026 hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA).

Ndërkohë që për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb