Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar për arrestimin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke deklaruar se mazhoranca nuk do të komentojë përmbajtjen e dosjes së SPAK. Nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha se PS nuk është “avokate mbrojtëse e askujt”, ndërsa theksoi se çdo zyrtar duhet ta kundërshtojë në gjykatë çdo masë që kufizon lirinë e tij.

Balla u shpreh se nuk ka komentuar më parë dosjet e SPAK dhe se të njëjtin qëndrim mban edhe në rastin e Hysenit. Ai iu referua edhe vendimeve të gjykatës që kufizojnë komentet publike mbi pjesë të dosjeve hetimore.

“Unë bëj pjesë në ata që nuk i komentojnë dosjet e SPAK. Nuk kam komentuar as dosjet ku kam bërë akuzë unë, rasti i Sali Berishës, dhe s’kam komentuar asnjëherë përmbajtje të dosjes”, deklaroi Balla. Duke folur për masat e sigurisë, ai tha se çdo zyrtar duhet ta ndjekë rrugën gjyqësore për të kundërshtuar kufizimin e lirisë. “PS nuk është avokate mbrojtëse e askujt”, u shpreh Balla, duke shtuar se në rastin e personave me mandat parlamentar, Kuvendi ka ushtruar të drejtën që i jep Kushtetuta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: