16 persona humbën jetën në një sulm me armë në Sydney. 50-vjeçari Sajid Akram u qëllua për vdekje në vendngjarje nga forcat e rendit, ndërsa djali i tij, 24-vjeçari Naveed Akram, ndodhet në paraburgim me lëndime të rënda. Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa versionet për atë që ndodhi mbeten kontradiktore.

Nëna e 24-vjeçarit, Verena Akram, po përpiqet të paraqesë një pamje krejtësisht të ndryshme nga ajo që përshkruhet nga autoritetet dhe fqinjët. Sipas mediave australiane The Age dhe The Sydney Morning Herald, ajo deklaroi se babai dhe djali kishin shkuar për peshkim dhe se i biri i saj është një “djalë i mirë”, i cili nuk ka lidhje me ekstremizmin apo dhunën.

Në komunikimin e fundit mes tyre, sipas saj, Naveed i kishte thënë: “Mami, sapo shkova për të notuar. Shkova për zhytje. Do të dalim për darkë herë pas here dhe pastaj do të rrimë në shtëpi sepse bën shumë vapë. Të gjithë do të donin një djalë si ai”, tha ajo, duke këmbëngulur se i biri nuk posedon armë dhe nuk përfshihet në aktivitete të rrezikshme. “Ai nuk del, nuk pi, nuk pi duhan, nuk shkon në vende të këqija. Shkon në punë, kthehet në shtëpi, shkon në palestër dhe kaq”, u shpreh ajo, duke pranuar megjithatë se ai kalonte shumë kohë në internet. Por fqinjët e familjes japin një pamje krejt tjetër, duke e përshkruar babanë dhe të birin si persona “të qetë, por kuriozë”, ndërsa në rrjetet sociale po qarkullojnë raportime se të dy dyshohet se i kishin premtuar besnikëri Shtetit Islamik. Sipas këtyre pretendimeve, ata kishin udhëtuar tre herë drejt Pakistanit gjatë dy viteve të fundit dhe kishin marrë pjesë në një trajnim 30-ditor në një kamp të grupit Jaish-e-Mohammad në rajonin PoK në shkurt 2025. Ky kamp u shkatërrua më vonë gjatë sulmeve ajrore indiane në maj 2025.

Raportimet pretendojnë gjithashtu se vizita e fundit e tyre në Pakistan ishte në tetor të vitit të kaluar, ku thuhet se u takuan me shefin e ushtrisë pakistaneze, Asim Munir.
Sipas autoriteteve, Sajid Akram ishte anëtar i një klubi gjuetie dhe kishte leje për armë zjarri, ndërsa besohet se posedonte disa armë. Policia konfirmoi se pajisje shpërthyese të improvizuara u gjetën në një automjet që dyshohet se ishte i lidhur me sulmuesin e ndjerë. Autoritetet australiane pranuan gjithashtu se 24-vjeçari ishte i njohur për shërbimet e inteligjencës, por vetëm në mënyrë shumë të kufizuar dhe se ai nuk ishte vlerësuar si një kërcënim specifik. Një vlerësim që, sipas policisë, tashmë rezulton të ketë qenë i pasaktë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: