Një gjykatë në Jordani ka dënuar me vdekje me varje tre persona, të shpallur fajtorë për sulmin e armatosur ndaj një kishe, ku mbetën të vrarë nëntë persona dhe u plagosën 34 të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 tetor, në kishën ortodokse greke të Shën Gjergjit, në provincën e Karakut, ndërsa brenda saj po zhvillohej ceremonia mortore e një të krishteri.

Sipas një deklarate të Forcave të Armatosura të Jordanisë, tre të pandehurit janë shpallur fajtorë për kryerjen e akteve terroriste, mbajtjen e armëve, përhapjen e ideve të një organizate terroriste dhe komplotin për kryerjen e akteve terroriste.

Të dënuarit janë dy vëllezër jordanezë dhe kunati i tyre. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike. Pas sulmit, ata u larguan nga vendngjarja dhe u arrestuan tri ditë më vonë.

Pamjet e kamerave të sigurisë treguan tre persona të armatosur duke iu afruar kishës në fshatin Hmoud dhe duke hapur zjarr ndaj njerëzve që ndodheshin brenda saj. Në një tjetër video shfaqeshin viktima dhe të plagosur të shtrirë në tokë, ndërsa në kishë mbizotëronte kaosi. Ende nuk është bërë e qartë se përse autorët zgjodhën pikërisht këtë kishë si objektiv të sulmit.

Pas atentatit, tre personat u lokalizuan në një banesë të braktisur në provincën e Karakut, në jug të kryeqytetit Aman. Ata refuzuan të dorëzoheshin dhe hapën zjarr ndaj forcave të sigurisë, të cilat iu kundërpërgjigjën, duke i plagosur të tre. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk pati efektivë të plagosur.

Mbreti Abdullah II reagoi ashpër pas ngjarjes, duke deklaruar se sulmi terrorist do të merrte përgjigjen më të ashpër. Ai theksoi se askush nuk mund ta përçajë popullin jordanez përmes dhunës dhe se uniteti i vendit do të mbetet i paprekur.

Një javë pas sulmit, Jordania ndërmori gjithashtu një operacion ajror në Siri, duke goditur objektiva që ushtria jordaneze i cilësoi si të organizatave terroriste, në shenjë hakmarrjeje për masakrën në kishë.

Autoritetet shëndetësore siriane raportuan se nga sulmi në një fshat të provincës jugore të Daraas humbën jetën pesë persona, mes tyre gra, fëmijë dhe një i moshuar. Nga ana tjetër, Jordania deklaroi se avionët e saj luftarakë kishin vrarë dhe plagosur disa persona të cilësuar si terroristë, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Amani tha se operacioni ishte koordinuar me qeverinë siriane, ndërsa Damasku deklaroi se nuk ishte njoftuar paraprakisht për sulmin.

Në Jordani, ekzekutimet kryhen me varje. Vendi kishte zbatuar një moratorium jozyrtar për dënimet me vdekje nga viti 2006 deri në vitin 2014, si dhe një tjetër ndërprerje nga viti 2017 deri në qershor të këtij viti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb