Pas marshimit në rrugët e Tiranës, studentët janë stacionuar para Ministrisë së Arsimit, ku vijojnë protestën me thirrje kundër qeverisë së Edi Ramës.

Të mbledhur në numër të konsiderueshëm, të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Ata shprehen të vendosur për të vijuar protestën dhe kundërshtojnë mundësinë e dialogut me kreun e qeverisë, duke theksuar se kërkesat e tyre kanë qenë të qarta që prej ditës së parë.

Një prej studentëve, i pyetur për qëndrimin e protestuesve dhe masat e paralajmëruara nga Rama, i cilësoi këto të fundit si të paligjshme dhe si “lëvizjet e fundit të një diktatori në pushtet”.

“I qëndrojmë stoikë qëndrimit tonë. Nuk ka nevojë për dialog. Ka vetëm një kërkesë: dorëheqja e kryeministrit dhe një qeveri tranzitore. Vetëm në këtë mënyrë mund të përfundojë protesta. Kërkesat tona kanë qenë të qarta që nga dita e parë”, u shpreh studenti.

Ai theksoi se bojkoti do të vijojë deri në ndryshimin e situatës, duke nënvizuar vendosmërinë e studentëve për të mos u tërhequr nga kërkesat e tyre.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb