Nga: Xhensila Kodra*

TIRANE- Luli Makashi së bashku me vajzën e saj Adeila u arrestuan vetëm katër ditë pasi Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në Policinë e Tiranës zbardhën një skemë mashtrimi pas denoncimit të bërë nga 27 persona në qytete të ndryshme të vendit.

Nënë e bijë, të cilat ishin shpallur në kërkim u prangosën në Rinas mesnatën e së enjtes. Sipas burimeve, bëhet me dije se të dyja këto shtetase ishin larguar disa javë më parë drejt Kanadasë. Ndërkohë, mësohet se që në momentin që Policia Shqiptare pas arrestimit të bashkëpunëtorit të tyre, Klevis Rreshka, njoftoi autoritetet kanadeze për shpalljen në kërkim të Lulit dhe vajzës së saj. Pas kësaj, Luli Makashit dhe vajzës së ja u janë anuluar vizat nga autoritetet kanadeze, çka ka bërë që ato të deportoheshin si shtetase me dokumente të parregullta. Në momentin që të dyja këto shtetase kanë mbërritur në tokën shqiptare, janë transportuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Ata janë marrë në pyetje nga oficerët e çështjes të ndara nga njëra-tjetra.

Pak ditë më parë, policia arrestoi edhe 25-vjeçarin Klevis Rreshka si bashkëpunëtorin e tyre, të cilët u kanë premtuar personave të ndryshëm se do t’u siguronin dokumente punësimi dhe studimi për në Kanada, Australi, Angli e në disa vende të ndryshme jashtë shtetit, kundrejt shumave të konsiderueshme parash, të cilat varionin nga 2500 euro deri në 20 mijë euro (në disa raste edhe me dollar). Në krye të skemës mashtruese qëndronte Luli Makashi, e cila është drejtoreshë ekzekutive e agjencisë private të ndërmjetësimit dhe të punësimit “ANDE-LM”. Nën siglën e kësaj shoqërie, e cila ka nisur aktivitetin që prej 2004-ës, Makashi së bashku me të bijën dhe Rreshkën mashtronin qytetarët nga vende të ndryshme, duke u premtuar viza për jashtë vendit për punësim dhe studim. Nga hetimet e policisë së kryeqytetit ka rezultuar se Luli Makashi, për sigurimin e vizave kishte lidhur kontrata me kompani dhe kolegje të ndryshme në Kanada, Amerikë, Angli, Australi e në disa vende të tjera.

Dëshmitë
E para që është marrë në pyetje ka qenë 52-vjeçarja Luli Makashi. Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se Makashi ka pohuar se nuk ka mashtruar asnjë person deri më tani, duke mohuar kështu veprën penale për të cilën akuzohet nga policia. E pyetur se ku i ka çuar të gjitha paratë që ka marrë nga qytetarët e shumtë, ajo ka thënë se nuk ka asnjë lek, por pa treguar destinacionin e tyre. Ndërsa e pyetur mbi faktin e largimit të saj në Kanada, Makashi ka shtuar se ka shkuar në këtë shtet për të sqaruar situatën me agjencinë që bashkëpunonte. “Në Kanada shkova që të sqaroja situatën me agjencinë që nuk pranonte vizat e qytetarëve”, ka thënë ajo. Gjithashtu, Makashi ka treguar para oficerëve se një pjesë e qytetarëve nuk mund të pajiseshin me viza për shkak se nuk dinin gjuhë të huaj. Më pas, policia ka marrë në pyetje edhe vajzën e Lulit, 28-vjeçaren Adeila Makashi, e cila nuk ka dhënë asnjë shpjegim para tyre.

Sekuestrimi
Burimet e sipërpërmendura sqaruan për “Gazeta Shqiptare” se policia ka sekuestruar dy automjetet e Lulit dhe vajzës së saj. Gjithashtu, mësohet se këto shtetase jetonin në Tiranë në një banesë e cila nuk ishte në pronësi të tyre, pasi shtëpinë ua kishte sekuestruar Përmbarimi para pak kohësh.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: