Një britanik 60-vjeçar tentoi të përvetësonte një rezidencë luksoze në Londër, në pronësi të djalit të ish-diktatorit libian Muamar Gadafi, Saadi Gaddafi. Përmes kompanive të rreme, identiteteve false dhe një firme avokatie inekzistente, Leslie Gale-Childs arriti të mashtrojë edhe dy gjyqtarë britanikë.
Rezidenca, e blerë nga Saadi Gaddafi në vitin 2009 për rreth 10 milionë paund, ndodhet në zonën luksoze Hampstead Garden dhe përfshin tetë dhoma gjumi, pishinë të brendshme, xhakuzi dhe kinema private. Mashtruesi shfrytëzoi një mosmarrëveshje ligjore mes shtetit libian dhe kompanisë britanike të mbrojtjes General Dynamics UK, e cila kërkonte shlyerjen e një borxhi prej 28 milionë paundësh. Ai krijoi kompani me emra të ngjashëm me atë të pronarit të mëparshëm dhe u paraqit si përfaqësues i interesave të Saadi Gaddafit.
Për të bindur gjykatat, krijoi edhe një firmë të rreme avokatie, duke pretenduar se përfaqësonte shtetin libian. Mashtrimi u zbulua pasi autoritetet libiane mohuan çdo përfshirje në procedurat ligjore. Gjykata e Lartë në Londër rrëzoi pretendimet e tij dhe konstatoi se vendimet e mëparshme ishin marrë mbi bazën e mashtrimit dhe informacioneve të rreme.
Gale-Childs ndodhet aktualisht në burg, ku po vuan një dënim prej 14 vjetësh e 9 muajsh për mashtrime të tjera dhe pengim të drejtësisë. Ndërkohë, rezidenca luksoze u shit në korrik 2026 për rreth 4 milionë paund, më pak se gjysmën e çmimit me të cilin ishte blerë fillimisht.
