NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE– Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon rezultatet e provimit të gjuhës së huaj me detyrim. Nëpërmjet “Gazetës Shqiptare” maturantët do të mund të njihen me notat që ata kanë marrë në provimin e parë. “Gazeta” publikon të plota rezultatet për 37.761 maturantë sipas ID personale të tyre. Në bazë të të dhënave zyrtare të AKP-së, rezulton se kalueshmëria në këtë provim është 98%, ndërsa mbetësit janë 755 maturantë. Sipas zv/ ministres Nora Malaj, rezultatet e larta të maturantëve në këtë provim, i cili këtë vit administrohet për herë të parë nga AKP, pasi në dy vitet e para është administruar nga drejtoritë arsimore, tregojnë se edhe në anglishten me zgjedhje do të dalin shumë mirë.

“20% e maturantëve kanë marrë notën 10. Ndërsa pjesa tjetër, 60% e tyre kanë, njohuri mbi mesatare të gjuhës së huaj që kanë bërë në gjimnaz. Ky është një tregues shumë i mirë, që edhe në provimin e gjuhës angleze me zgjedhje do të dalin mirë”, theksoi Malaj, për “GSH”.

REZULTATET
Publikohen rezultatet për rreth 38 mijë maturantë në provimin e parë të maturës, atë të gjuhës së huaj me detyrim ku përfshihen gjuhët (anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht). Nga 47.761 maturantë që hynë në provimin e datës 4 qershor, prej tyre kanë ngelur 755. Ndërkohë që numri i maturantëve që janë vlerësuar shkëlqyeshëm, pra me notën 10, është i lartë, rreth 7500 maturantë. Sipas të dhënave nga AKP, 20% e maturantëve kanë arritur të marrin 45-50 pikë, të cilat me notë vlerësohen me notën 10. Po ashtu, pjesa tjetër e maturantëve kanë rezultatet mbi mesatare, pasi me notat 8-9 vlerësuar mbi 40% e totalit të maturantëve që kanë hyrë në provimin e gjuhës së huaj. Kurba tregon se pjesa dërrmuese e maturantëve kanë marrë mbi 30 pikë e lartë.

Pra, cilësia është më e mirë, duke qenë se shumica e maturantëve kanë dhënë zgjidhjen e duhur të më shumë se gjysmës së testit, pasi totali i pikëve është 50 pikë. Që një maturant që të konsiderohej kalues, duhet të merrte 20% pikëve të testit, pra notën e përshkallëzuar 4.5, ose thënë ndryshe 10 pikë. Nota më e përhapur tek maturantët e këtij viti në provimin e gjuhës së huaj me detyrim është nota 8-9-, gjë e cila tregon se maturantët kanë njohuri mbi mesatare në gjuhën e huaj që kanë dhënë provim. Të premten e javës që vjen, në datë 24 qershor, maturantët do t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje. Ndërkohë që në datë 25 qershor ata do të marrin përgjigjet e provimit të dytë të detyruar, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Notat janë publikuar në numrin e sotëm të Gazeta Shqiptare

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb