NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Maturantët në ‘terr’ për sa i përket mungesës së informacionit për Maturën Shtetërore! Ministria e Arsimit, edhe pse jemi në mesin e muajit dhjetor, ende nuk ka miratuar udhëzimin për Maturën Shtetërore dhe as formën e aplikimit në universitetet publike. Ndërkohë që, ata që vuajnë pasojat janë maturantët, të cilëve në fillim të vitit iu është thënë se Matura Shtetërore do jetë vetëm një provim dalës nga gjimnazi dhe jo hyrës në universitet si ka qenë që prej vitit 2006. Edhe pse, nëpër gjimnazet e Tiranës ditët e fundit ka filluar të qarkullojë një tjetër ‘njoftim gojor’ i MAS-it, se edhe këtë vit matura do mbetet e pandryshuar.

Ndërkohë, e pyetur për këtë çështje, Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj ka thënë se ende nuk është përcaktuar zyrtarisht se çfarë do bëhet. Por sipas saj, provimet e maturës edhe këtë vit do të jetë 5 provime, tri me detyrim dhe dy me zgjedhje, ndërkohë që javën që vjen pritet të zhvillohet një takim me drejtuesit e universiteteve publike në vend, për të përcaktuar detajet përfundimtare dhe kriteret shtesë të pranimit që duan universitetet. Ndërkohë që, sipas ligjit të ri të arsimit të lartë, në nenin 74 të tij, theksohet se kriter për pranimin në ciklin e parë të studimeve është nota mesatare, e cila përcaktohet çdo vit me VKM.

SITUATA
Mijëra maturantë të vitit shkollor 2015-2016 nuk e dinë ende se cila do të jetë forma e aplikimeve në universitet dhe as kriteret e reja që do të përcaktohen. Ligji i ri i Arsimit të Lartë, në nenin 74 për pranimin në ciklin e parë të studimeve, përcakton se: “Pranimi në ciklin e parë të studimeve është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. 2. Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilat shpallen nga institucioni i arsimit të lartë dhe vihen në dispozicion të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin.”

Por sipas zv.ministres së Arsimit, Nora Malaj, edhe pse ende nuk ka asnjë udhëzim zyrtar për maturën, nuk është vonë, pasi çdo vit udhëzimi ka dalë në dhjetor dhe, sa u përket provimeve, ato do vijojnë të jenë 5 provime.

“Asnjë lloj ndryshim nuk ka. Do jenë 5 provime: tri me detyrim, dy me zgjedhje. Nota mesatare nuk do të sjellë ndryshime. Komisioni i maturës ka bërë një mbledhje; javën që vjen do ketë takim me rektorët e universiteteve publike për të përcaktuar detajet përfundimtare”, – tha Malaj. Sipas zëvendësministres, Formulari A1, ku maturanti përcakton dy lëndët me zgjedhje, do jetë i pandryshuar, ndërsa për Formularin A2, ku renditen 10 preferencat për programet e studimit, ende nuk dihet e qartë se çfarë do të ndodhë. Edhe pse drejtues të MAS-it pohojnë se nuk ka vonesa në këtë proces, kjo gjë duket shumë qartë, pasi ende nuk është krijuar agjencia e re, e cila parashikohet në ligj, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QASH), e cila sipas ligjit, koordinon procesin e aplikimit në institucionet e arsimit të lartë për ndjekjen e studimeve në programet e ciklit të parë, Bachelor.

(el.sp/Gazeta Shqitare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb