Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe raportin mes politikës dhe drejtësisë, pas votimit në Kuvend ku mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama nuk autorizoi SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Zhupës, vendimi i shumicës parlamentare përbën një pengesë serioze për drejtësinë dhe një goditje ndaj reformës në drejtësi që u miratua me konsensus të plotë politik.

“Kuvendi u përdor si bunker për të mbrojtur qeveritarët përkundrejt asaj që kërkon drejtësia. Është një shkelm i fundit që i bëhet reformës në drejtësi që u miratua me 140 vota dhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve në Shqipëri”, u shpreh deputetja demokrate.

Ajo theksoi se opozita kërkon reagim qytetar dhe qëndrime të forta politike, duke argumentuar se bëhet fjalë për mosfunksionimin e parlamentit dhe përdorimin e shumicës parlamentare për të penguar drejtësinë.

“Ka nevojë për një protestë multifunksionale dhe qëndrime të forta, sepse bëhet fjalë për mosfunksionimin e parlamentit dhe përdorimin e kartonëve që ka mazhoranca për të penguar drejtësinë”, deklaroi Zhupa.

Deputetja e PD-së shtoi se reagimet e ndërkombëtarëve deri tani, sipas saj, kanë qenë të qarta dhe në një linjë me opozitën për këtë çështje.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 22 mars, duke theksuar simbolikën që kjo datë ka për demokratët.

“Qytetarët do të protestojnë më 22 mars, një datë që ka simbolikë të veçantë për Partinë Demokratike, si dita e parë reale e demokracisë në Shqipëri dhe një ditë e madhe për shqiptarët në atë kohë”, përfundoi Zhupa.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb