Pas një muaji e gjysmë nga depozitimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, Kuvendi ende nuk ka marrë një vendim. Kjo situatë ka ngritur shqetësime në opinion dhe nga analistët politikë, të cilët paralajmërojnë se mazhoranca po përdor vonesën si strategji për të shmangur përgjegjësitë.
Analisti Erl Murati, i ftuar në studion e News24, u shpreh se sipas rregullores, brenda dy javësh kërkesa për arrest duhet të shqyrtohet në Këshillin e Mandateve, gjë që nuk ka ndodhur, ndërsa Kuvendi ka afat tre mujor për të marrë një vendim për pranimin ose rrëzimin e kërkesës së SPAK. “Nëse nuk ka një vendim brenda këtij afati, kërkesa konsiderohet e rrëzuar automatikisht. Nuk ka pse Kuvendi të marrë vendim, sepse kjo është strategjia e mazhorancës dhe e kryeministrit për ta rrëzuar, duke djegur afatet ligjore”, tha Murati.
Ai shtoi se kjo vonesë lidhet me ndryshimin e retorikës së kryeministrit Edi Rama gjatë viteve të fundit. “Gjatë 6-7 viteve të para pas miratimit të reformës në drejtësi, Rama ka qenë mbështetës absolut i institucioneve të prodhuara nga reforma. Në dy vitet e fundit, retorika e tij ka ndryshuar, duke shtuar sulmet dhe etiketime ndaj prokurorëve dhe BKH-së, sidomos pas arrestimit të Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj,” u shpreh analisti.
Murati theksoi se situata e krijuar rrit dyshimet se mazhoranca po përdor vonesën për të manipuluar procesin ligjor, duke e mbajtur çështjen të pezulluar dhe duke shmangur përgjegjësitë politike dhe ligjore që rrjedhin nga kërkesa e SPAK.
