Bashkia Poliçan ka zhvilluar sot një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak. Qëllimi i kësaj mbledhje ka qenë miratimi me votat e këshillit i mosshkrirjes së bashkisë Poliçan. Fillimisht, në mbledhjen e drejtuar nga kryetarja e Këshillit Bashkiak Poliçan, Mimoza Lulaj, ka qenë kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, ai që pasi ka argumetuar se asnjë nga pikat e propozuara në relacionin e qeverisë për shkrirjen e bashkisë Poliçan nuk qëndron, ka deklaruar: “Do të jetë një turp për Parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”.

Zotkaj ka theksuar në fjalën e tij se, ndarja dhe bashkimi i një bashkie bëhet vetëm me pëlqimin e komunitetit dhe komuniteti është kundër. Ai ka theksuar se, Bashkia Poliçan duhet të jetë bashki pasi aktualisht ka 318 biznese që lulëzojnë çdo ditë e më tepër, ka turizëm malor dhe industrial, ka  implementuar projekte për rininë, moshën e tretë etj dhe për miratimin për shkritjen e saj janë përdorur dy standarte.

Më pas, këshilltarët u njohën me raportin e Komisionit e ngritur nga Këshilli Bashkiak për kryerjen e dëgjesave publike me qytetarët,ku shprehej indinjata e tyre të thellë për këtë propozim të qeverisë,që e cilësojnë absurd dhe të padrejtë.

Pasi përfunduan edhe diskutiimet e këshilltarëve bashkiak, të gjithë Këshilltarët (15) konfirmuan “dorëheqjen” e tyre, në rast se votohet në Parlament shkrirja e bashkisë Poliçan. Në përfundim të mbledhjes, u kalua në votim dhe me votat e 15 anëtarëve të Këshillit Bashkiak u votua “Kundër” projekt-ligjit për Ndarjen Administrative Territoriale, që propozon shkrirjen e Bashkisë Poliçan dhe bashkimin me Beratin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb