Në Madrid, mbetet shumë e nxehtë çështja “Mbappe”, me tensionin sa vjen e shtohet përpara “El Clasico” kundër Barcelonës. Në mënyrë të papritur, kundër Mbappes është kthyer i gjithë ambienti në Madrid, madje tifozët në orët e fundit, krijuan një peticion online me sloganin “Mbappe Out”. Pyetja që shtohej për tifozët ishte e qartë:
“Madrilistë, bëni që zëri juaj të dëgjohet. Nëse mendoni se është e nevojshme të ndryshojmë, mos qëndroni në heshtje, firmosni këtë peticion për të treguar se është në të mirën e klubit të ndryshojmë në të ardhmen.
Në mënyrë të papritur, brenda pak orësh mbi 2 milionë tifozë firmosën këtë peticion, shifra me të vërtetë të pabesueshme që shtojnë presionin mbi drejtuesit e klubit, këto janë shifra që nuk mund të injorohen. Ky mllef i tifozëve ndaj Mbappe është shtuar jashtëzakonisht shumë kohët e fundit, ku si të mos mjaftonte fakti që dolën nga gara në çdo turne, Mbappe u ndal sërish për një shqetësim muskulor, por francezi vendosi të udhëtonte drejt Italisë për të kaluar disa kohë me të dashurën e tij.
Në krah të Mbappe doli trajneri Arbeloa, por as deklaratat e tij nuk mjaftuan për të qetësuar tifozët. Në fakt, duke iu referuar shifrave, Mbappe nuk duket një shqetësim, një problem për Real Madrid pasi edhe këtë sezon deri në këtë pikë ka realizuar 41 gola.
Përballë një situatë të tillë nuk mund të qëndronin pasiv drejtuesit e Real Madrid. Sipas AS, Real Madrid ka besim total ndaj Kylian Mbappe. E përditshmja sportive pranë klubit të Realit zbulon se Mbappe, së bashku me Vinicius jr dhe Bellingham janë e tashmja dhe e ardhmja e klubit, baza ku do të ndërtohet ekipi edhe për sezonin e ri.
