Banorët e fshatit Kaçinar në Mirditë kanë protestuar këtë të mërkurë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, kundër ndërtimit të katër hidrocentraleve (HEC) në zonën e tyre. Të shqetësuar për ndikimin mjedisor dhe social që do të sjellë projekti, ata kërkuan pezullimin e menjëhershëm të punimeve.

Në protestën e tyre, banorët thanë se ndërtimi i HEC-eve u rrëmben pasurinë më të çmuar – ujin – dhe po i dëmton rëndë burimet natyrore nga të cilat varet jeta në komunitet. Me pankarta dhe thirrje kundër projektit, ata kërkuan një reagim të drejtpërdrejtë nga ministrja Belinda Balluku.

“I bëj thirrje ministres, zonja Balluku, të dalë këtu dhe të na japë fjalën që do pezullojë punimet për katër HEC-et në Kaçinar. Në mungesë të saj, të dalin zëvendësministrat, drejtori i koncesioneve që monitoron këto hidrocentrale që po u pijnë gjakun njerëzve në Kaçinar,” tha një nga protestuesit.

Banorët kërkuan që punimet të pezullohen deri në një vendim të qartë të drejtësisë, duke theksuar se nuk do të ndalen derisa të mbrojnë të drejtën për ujin dhe mjedisin e tyre.

“Mbase kujtohet ministrja t’i dalë gjumi dhe të dalë para këtyre banorëve.  Ne kemi një peticion që do t’i paraqitet ministres dhe kryeministrit”, u shpreh një tjetër protestues.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb