Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike dhe avokati Marash Logu ka shpjeguar arsyet pse protesta që u zhvillua në mbështetje të Erion Veliajt para SPAK ishte e paligjshme. Ai theksoi se në këtë tubim kishte elementë të veprave penale, pasi vetë Policia e Shtetit kishte konfirmuar se protesta nuk ishte njoftuar paraprakisht, siç kërkohet nga ligji. Sipas Logut, ky fakt mjafton për të konstatuar se ky ishte një grumbullim i paligjshëm.
Ai theksoi se, për të qenë ligjore, çdo protestë duhet të njoftohet në mënyrë të duhur tek policia, duke përfshirë informacionin për vendin, orarin dhe qëllimin e tubimit. Logu vuri në dukje gjithashtu se bllokimi i rrugëve dhe i mjeteve të transportit është një vepër penale, për të cilën, sipas tij, janë proceduar dhjetëra mbështetës të PD-së për veprime të ngjashme në të kaluarën.
Gjithashtu, ai shpjegoi se përdorimi i administratës shtetërore për qëllime politike përbën një shkelje të ligjit dhe mund të lidhet me korrupsionin zgjedhor. Logu tha se ky është një tjetër element që e bën protestën e mbështetësve të Veliajt të paligjshme, pasi përdorimi i administratës për organizimin e një proteste politike është një formë e keqpërdorimit të pushtetit dhe mund të sjellë pasoja ligjore.
(Balkanweb)
