TIRANE – Pas lirimit nga akuza e tritolvënies ndaj biznesit të babait të ministrit Saimir Tahiri, 36-vjeçari Vladimir Gjuta është rikthyer sërish në qeli. Gjykata e Tiranës vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 36-vjeçarin, i cili akuzohet për dhunë në familje dhe thyerje të masës së sigurisë.

Pak ditë më parë, 78-vjeçari Ferit Gjuta, babai i Vladimir Gjutës, bëri kallëzim penal në Komisariatin Nr.5 në Kamëz për të birin, me pretendimin se ai ushtronte dhunë sistematike ndaj tij.

Prej fillimmajit, kur u lirua nga paraburgimi, ai thyente urdhrin e mbrojtjes dhe i shkonte në banesë të atit, duke e rrahur. Policia dyshon se Vladimir Gjuta vuan nga probleme mendore.

Sipas policisë, duke shkuar në banesën e të atit, shtetasi Vladimir Gjuta ka shkelur edhe vendimin e datës 22 prill 2016 të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Kukësit, e cila kishte marrë masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gjuta rezulton me masën e sigurisë “Arrest shtëpie” me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës të datës 22.04.2016.

Vladimir Gjuta u arrestua qershorin e vitit të kaluar, bashkë me nipin e tij Baftjar Bruka, me akuzën e organizatorit të vendosjes së tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Por më 5 maj u lirua nga burgu për mungesë provash.

BABAI I GJUTËS: DJALI S’MË KA DHUNUAR. URDHRI U SHKEL SE KISHIM FESTË
Ndërsa Gjuta akuzohet për dhunë në familje, pasi u denoncua nga babai i tij për dhunë, ky i fundit ka hedhur poshtë këtë version. Duke këmbëngulur se nuk është ushtruar dhunë ne familje, i ati, Ferit Gjuta tregon se shkak për shkeljen e arrestit është bërë një festë familjare. ““Jemi shumë të ngarkuar. Djali ka qenë i dënuar për disa probleme, farmacie, i cili mori pafajësinë. Ne burg ka dhe ngarkesat e veta. Një ditë nga këto të fundit kishte një festë në familje. I thashë shko tek shtëpia jote që të jemi në rregull me shtetin. Jo unë nuk shkoj tha. Gjatë kësaj kohe njoftova policinë, ishte ora 2 e natës. Në asnjë mënyrë nuk jam dhunuar, përkundrazi. I kërkojmë edhe gjykatës se ai ka nevojë për ndihmë mjekësore. Nuk kam as shenja asgjë. Veç me pas ndonjë babë tjetër ai. U kam thënë vetëm ka thyer arrestin e shtëpisë. Më vjen turp edhe prej djalit, se nuk kam moshë unë me rrejt.”, tregon Gjuta.
babai i gjutes
VËLLAI: NA TRAJTOJNË SI KRIMINELA, JEMI FIS I NDERUAR. VLADIMIRI DJALË FISNIK
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe vëllai i Vladimir Gjutës, i cili e cilësoi arrestimin një skandal dhe sulm nga ana e strukturave shtetërore. Sipas vëllait të Gjutës, i cili akuzohet se shkeli urdhrin e arrestit të shtëpisë dhe se dhunoi babain e tij, ky është një sulm për të prishur imazhin e mirë të familjes dhe fisit të tij të nderuar. “Po na sulmojnë strukturat shtetërore. Ne jemi një fis i mrekullueshëm. Nuk ka bërë kurrë vaki se babai është dhunuar nga Vladimiri. S’ka bërë vaki kurrë. Përgjegjësitë kryesor do të marrin ndëshkimin, se s’kanë për të gjetur asgjë. Na kanë futur në burg, na kanë keqtrajtuar dhe s’kanë gjetur një. Ne duam që të dalin nga burgu djali, se kemi një djalë shumë fisin, djalë që ia arrin tja dalin gjithçkaje. Kam qenë i pranishëm kur u arrestua vëllai. Babai nuk është dhunuar në mënyrë kategorike. Kurrën e kurrës”, tha Gjuta.

(er.nu/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: