* Basha: Kërkesë për referendum në Kuvend kundër ligjit për mbetjet
TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka lajmëruar sot se forca politike që ai drejton do të depozitoj në Kuvend kërkesën për referendum kundër ligjit të miratuar në seancën e kaluar për importin e mbetjeve. Pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Basha theksoi në një deklaratë për mediat se, PD është në mbështetje të protestës së shoqërisë civile, e cila është parashikuar për t’u mbajtur ditën e shtunë.
Kryedemokrati tha se miratimi i ligjit për mbetjet është një “prerje në besë e shqiptarëve”, ndërsa shtoi se kjo është “një aferë mafioze e korruptive. Aferë e Ramës me kartelin e plehrave”.
“Diskutuam situatën e krijuar për importin e plehrave. Një aferë mafioze e korruptive. Rama drogoi Shqipërinë, tani do ta helmojë. Rama bëri aferë me kartelin e plehrave. Importi i plehrave është një shkatërrim i demokracisë në vend. Kjo është një prerje në besë ndaj qytetarëve. Duhet t’i kundërvihemi bashkërisht të gjithë. PD do të përdorë të gjitha instrumentet për ta kundërshtuar. Nesër kërkesë në Kuvend nga grupi i PD për referendum për ndalimin. Shqiptarët ndihen të tradhtuar, një tufë mafiozësh duan të kthejnë plehrat. Nuk patëm kritika në mbledhje grupi, patëm debat dhe vendim unanim. Unë dal plotësisht kundër ligjit të vitit 2011. Mbështesim plotësisht protestën e thirrur nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave. PD nuk vendos asnjë grup interesi mbi qytetarët. Duhet referendum, duhet të dëgjojmë zërin e qytetarëve për importin e mbetjeve”, tha Basha.
Por pas kësaj deklarate ka reaguar kreu i Qeverisë. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rama ironizon kreun e opozitës, duke u shprehur se:
“Tani që Luli kapi flamurin e luftës me rrezikun imagjinar kuptohet kollaj se në ç’kazan fshihet lepuri i rrenës për ligjin tonë mbi mbetjet”, shkruan Rama.
(el.sp/BalkanWeb)
