DURRËS

Babai i shoferit 21-vjeçar të arrestuar dje nga policia pas kapjes së një sasie prej 123 mijë e 460 paundësh ka folur për gazetaren Klodjana Haxhiaj duke mohuar që djali i tij të kishte dijeni për to. Shkëlqim Sefolli deklaroi në një intervistë për “BalkanWeb” se djali kishte rreth një muaj që kishte nisur punë si shofer duke drejtuar mjetin nga Porti i Durrësit deri në Itali dhe anasjelltas.

Paratë u kapën pasditen e djeshme në Portin e Durrësit dhe ishin fshehur në prapakolpin e një furgoni që vinte nga Anglia. I vetmi i arrestuar është shoferi Olsi Sefolli, 21 vjeç.

Sa kohë ka që djali juaj Olsi punon në shërbimin postar Shqipëri-Angli?
Olsi ka rreth një muaj. Mund të jetë rruga e pestë ose e gjashtë.

Si e keni mësuar dje arrestimin e djalit tuaj?
Nëpërmjet kazanëve mediatike, një pjese të portaleve të papërgjegjshëm të cilët i fryjnë me ato shifra të cilat nuk janë aspak të vërteta. Me kontaktet që pata dhe me avokatin, i cili ka biseduar me djalin nuk janë asnjë nga ato që shkruajnë nëpër portale.

Si është e vërteta?
Çuni merrte furgonin këtu deri në Itali, merrte tjetrin e sillte këtej, kaq.

Ka qenë ndonjëherë në Angli?
Jo nuk ka qenë.

Si funksiononte, furgonin që ka ardhur dje në Torino kush e solli?
Është një shofer kompanie, nuk e di.

Çfarë kërkese keni ju si prind?
Kam kërkesë këto portalet mos t’i fryjnë sepse po na dëmtojnë shumë. Të kenë kujdes me ato çka japin.

A keni mundur ju të kontaktoni me djalin, çfarë ka thënë deri tani?
Nëpërmjet avokatit kemi kontaktuar. Djali thjesht ka ndërruar furgonët asgjë tjetër. Djali ka mbaruar shkollën elektrike dhe ka punuar elektrike. S’ka pas punë stabël.

Ju vetë, familja juaj me çfarë të ardhurash jetoni?
Me të ardhura, punoj. Me të ardhurat që na ndihmojnë emigrantët, vëllezërit që kemi jashtë.

Djali nuk ka pasur asnjë lloj dijenie për paratë që ishin fshehur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb