Mesatarisht 2 573 persona ndodhen në paraburgim në Shqipëri, një shifër që sipas ekspertëve të Këshillit të Evropës tregon përdorim të tepruar të masës së paraburgimit dhe cënim të së drejtës për liri dhe siguri personale.

Në raportin e hartuar nga gjyqtarë dhe prokurorë evropianë, i cili u prezantuan në një tryezë të përbashkët me ministrin e Drejtësisë, kërkohen ndryshime urgjente ligjore për ta kthyer paraburgimin në masë të jashtëzakonshme, kufizim të veprave penale që çojnë në arrest me burg, ulje të afateve dhe përdorim më të gjerë të masave alternative, si monitorimi elektronik dhe arresti shtëpiak.

Raporti prej 51 faqesh që News24 disponon, është përgatitur nga gjyqtari belg Theo Byl, zëvendësprokurori i përgjithshëm italian Nicola Lettieri dhe gjyqtari portugez Filipe César Marques.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Sipas ekspertëve, problemi nuk zgjidhet duke ndërtuar më shumë burgje, por duke ndryshuar politikën penale dhe mënyrën se si autoritetet gjyqësore justifikojnë vendimet për heqjen e lirisë.

Sipas tyre, gjykatat duhet të argumentojnë qartë pse paraburgimi është i domosdoshëm dhe pse masat alternative nuk janë të mjaftueshme.

Një nga rekomandimet kryesore është kufizimi i veprave penale për të cilat mund të caktohet paraburgimi. Ekspertët sugjerojnë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke përcaktuar që paraburgimi të lejohet vetëm për krime që parashikojnë dënim maksimal jo më pak se 5 vjet burg. Sipas tyre, vepra të lehta, si vjedhja e thjeshtë, nuk duhet të çojnë kurrë në paraburgim.

Po ashtu, kërkohet heqja e formulimeve të paqarta ligjore si “dyshim i arsyeshëm” dhe zëvendësimi me kritere më konkrete të bazuara në prova dhe indicie. Në raport thuhet ndër të tjera se vendimet standarde konsiderohen në kundërshtim me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Po ashtu, ekspertët rekomandojnë uljen e afatit maksimal të paraburgimit (deri në 1 vit për vepra më pak të rënda dhe 2 vite për vepra të rënda); rishikim të rregullt të paraburgimit nga gjykata, ku barra e provës i takon prokurorisë; si dhe apelim efektiv të vendimeve dhe afate më realiste për shqyrtimin e çështjeve komplekse.

Një theks i veçantë i vihet masave alternative, si monitorimi elektronik, arresti shtëpiak, garancia pasurore dhe ndalimi i largimit nga vendi.

Në fund, ekspertët e Këshillit të Evropës kërkojnë përshpejtim të hetimeve, rritje të kapaciteteve në prokurori, gjykata dhe polici, si dhe një ndryshim të mentalitetit të trashëguar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb