Zelensky: Rusia lëshoi 656 dronë dhe 73 raketa gjatë natës, 13 të vrarë në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ajrore të muajve të fundit, duke lëshuar gjatë natës 656 dronë sulmues dhe 73 raketa të llojeve të ndryshme kundër territorit ukrainas.

Në një reagim publik, Zelensky tha se sulmet përfshinë raketa balistike, raketa kruz dhe raketa kundër anijeve, duke goditur zona të banuara dhe infrastrukturë civile në disa rajone të vendit.

“Gjatë natës, Rusia lëshoi 656 dronë sulmues dhe 73 raketa të llojeve të ndryshme kundër qytetarëve tanë. Ky ishte një sulm në shkallë të gjerë dhe një deklaratë e qartë nga Rusia se, nëse Ukraina nuk mbrohet nga raketat balistike dhe sulmet e tjera me raketa, këto sulme do të vazhdojnë”, u shpreh presidenti ukrainas.

Zelensky konfirmoi se si pasojë e bombardimeve kanë humbur jetën të paktën 13 persona, mes tyre edhe një fëmijë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Kreu i shtetit ukrainas theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit dhe bëri thirrje për mbështetje të mëtejshme nga partnerët perëndimorë.

“Evropa ka nevojë për mbrojtjen e saj raketore në mënyrë që kjo luftë të përfundojë më në fund. Ekziston gjithashtu një nevojë absolute për ndihmën e Shteteve të Bashkuara në furnizimin me raketa për sistemet Patriot”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb