Bujar Nishani i ka kërkuar Bashës të dorëhiqet nga posti i kryetarit të PD në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, raporton gazetari Osman Stafa për BalkanWeb.

Nishani ka deklaruar se për të shpresuar në fitore, duhet dorëheqje e kryetarit dhe sipas tij Basha duhet ti bëjë aktin e fundit të mirë PD-së.

Më tej Nishani thotë se duhet reformim të PD, teksa ka deklaruar se pranoi të bëhet pjesë e Komisionit të Verifikimit të Kandidatëve pasi besonte në parime.

Ai ka thumbuar Bashën duke thënë se shqiptarët nuk të votojnë kur nuk respekton as ‘kushtetutën’ e PD.

 

”Z .Basha duhet ti bëjë aktin e fundit të mirë PD-së. Të largohet. Vetëm duke u larguar kryetari mund të krijohet shpresa se ne mund të fitojmë. Kush nuk e njeh situatën në bazë, nul e njeh realitetin dhe nuk mund të gjykojë punën e demokratëve.

Ne nuk i ndryshojmë dot realitetin. Shqipëtarët nuk erdhën të na besonin ndaj edhe votuan vetëm 46%. Kur populli do ndryshim, lëshohet si dallgë në qendrat e votimit për ndryshim. Sot kemi vota më shumë se në 2017 po më pak se në 2013 kur disa persona mbajtën përgjegjësi dhe dhanë dorëheqjen. Ne mbetëm përsëri parti e dytë me diferencë të madhe. Po e nisim legjislaturën e re aty ku e lamë në 2019. Pranova të isha pjesë e komisionit të verifikimit të kandidatëve për deputetë sepse besoja në parime dhe vlera dhe jo për të mbrojtur liderin.

Ai komision mund të mos kishte asnjë vlerë por një lider partie nuk takon të skualifikuarit e komisionit dhe tju thotë se vendimet e komisionit nuk kanë vlerë dhe kontratën në PD e kanë me të. Kur shqiptarët shohin se ti nuk respekton kushtetutën e partisë, nuk besojnë se do respektosh kushtetutën e shtetit dhe nuk të votojnë Shtabet tona elektorale u lanë pa asnjë financim në bazë. Kundështari qarkullonte me miliona. PD sot flet për masakër elektorale por kjo është e paplotë.

PD duhet të shprehet qartë nëse i njeh apo jo institucionet e dala nga kjo masakër elektorale. A do e njohim Parlamentin ? Qeverinë ? Na duhet të reformohemi thellësisht sepse vetëm kështu fitojmë. Ky është momenti që mund të fillojmë. Të ngrihet një komison i besueshëm për të ndjekur proçesin
Të nis puna për statut të ri të krijohet senati i partisë. Të futet referendumi në parti. Të sanksionohet dorëheqja e parevokueshme e kryetarit kur humbet zgjedhjet parlamentare. Kemi në dorë të ardhmen jo vetëm të PD por trashëgiminë e sakrificave të panumërta dhe shumë gjaku të derdhur në këtë parti. Nuk bie PD sado gjatë të vuajë. Ringritja e PD sfidën më të madhe e ka me besimin.”- tha Nishani.

Fatbardh Kadilli nga ana tjetër ka deklaruar se burri duket jo kur merr pushtetin, por kur duhet të heqë dorë prej tij.

”Nuk ka nevojë të tregoni mbështetjen për kryetarin. Edhe Sali Berisha kishte mbështetje absolute, por e dinte kur duhet te ikte nga drejtimi i Partisë. Burri duket jo kur merr pushtetin, por kur vendos që duhet të heq dorë nga pushteti.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb