Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, duke u ndalur te skandali i SHISH, ku u përfshi ish-drejtuesja Vlora Hyseni si dhe mbledhja e Këshillit të Sigurimit. I ftuar në emisionin “Minuta e parë” në News24, me moderatore Ola Bruko, Topi tha se ngjarja me SHISH ishte shumë i rëndë dhe me impakt shtetëror, brenda dhe jashtë vendit.

“Mendoj se Këshilli i Sigurisë Kombëtare, në një farë mënyre konsiderohet si këshill në ndihmë të presidentit. Thirret nga presidenti dhe ai nuk mblidhet në mënyrë shumë frekuente, por në ngjarje të rëndësishme. Por kjo nuk do të thotë se komunikimet mes institucioneve nuk vazhdon, por kur ngjarjet kanë impakt të plotë dhe publik, autoriteti kryesor, presidenti e sheh të nevojshme për të bërë një konsult në grup. Mos të krijohet ideja që po nuk u mblodh këshilli, puna nuk vazhdon. Por kur mblidhet Këshilli impakti tregon se ngjarja ishte e jashtëzakonshme. Ngjarja te SHISH ishte ngjarje e jashtëzakonshme. SHISH, një institucion shtetëror, vjen dhe zgjidhet titulli i institucionit zgjidhet nga një njeri politik si kryeministri, por rëndësia e këtij pozicioni është e madhe. Është me rëndësi se çfarë ndodh në partneritet.

Fokusi te këto institucione është me rëndësi, edhe për shkak se jemi vend anëtar i NATO-s. Ti mban komunikim të vazhdueshëm me partnerët. Edhe në rast se nuk ka gjë konkrete, nuk kam informacion konkret, por tek e fundit, fillon dhe bie rëndësia e kredibitetit e partnerëve ndaj teje. Kanë ndodhur dhe në vende të tjera, por ne jemi vend i vogël, një vend ende në konsolidim. Arma jonë më e fortë duhej të ishte kredibiliteti, që është cënuar. Ndaj kjo ishte arsyeja që u mblodh Këshilli i Sigurisë. Këshilli i Sigurisë i diskuton me dyer të mbyllura. Unë kam pasur një rast kur ndodhi ngjarja e Gërdecit, ku u mblodh Këshilli rreth një javë pas ngjarjes. Unë zgjodha t’i drejtohem publikut me një apel publik, dhe më pas punimet u zhvilluan me dyer të mbyllura. Është në diskrecionin e presidentit ta bëjë këtë apo jo. Ai ka vendosur që të bëjë një shpjegim pas mbledhjes. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit duhet të ketë debat, pasi është rasti për të pasur debat. Aty është presidenti, kryeministri, ministrat, SPAK. Fakti që është një takim i një rëndësie të veçantë, ku më shumë se aty duhet të ketë debat dhe analizë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: