133 kardinalë votues janë mbledhur në Vatikan për të zgjedhur Papën e ri, i cili do të jetë pasardhësi i 266-të në historinë e Kishës Katolike. Të gjithë janë nën moshën 80 vjeç dhe për këtë arsye kanë të drejtën të marrin pjesë në Konklavë, procesi i fshehtë dhe solemn që mbahet në Kapelën Sistine dhe që nuk përfundon derisa të zgjidhet Papa. Gjatë këtij procesi, çdo kardinal merr një fletë të posaçme votimi ku është shkruar në latinisht fraza “Eligo in Summum Pontificem”, që do të thotë “Zgjedh për Papën Suprem”, dhe aty shkruan emrin e atij që beson se duhet të bëhet udhëheqësi i ardhshëm i Kishës.

Pas një betimi të solemnitetit dhe sekretit të plotë, kardinalët futen në Kapelën Sistine dhe dera mbyllet, duke nisur kështu votimin që mund të zgjasë disa ditë. Gjatë çdo dite zhvillohen deri në katër votime, dy në mëngjes dhe dy pasdite. Çdo fletëvotim është e palosur dhe vendoset në një kuti votimi, ndërsa tre kardinalë të caktuar për këtë detyrë numërojnë votat. Për t’u zgjedhur Papa, një kandidat duhet të marrë dy të tretat e votave, që në këtë rast janë të paktën 89 nga 133 gjithsej.

Nëse nuk arrihet kjo shumicë, fletët e votimit digjen dhe nga oxhaku i Kapelës Sistine del tym i zi, duke treguar se ende nuk është bërë zgjedhja. Kur dikush arrin shumicën e nevojshme dhe e pranon detyrën, atëherë tymi që ngrihet është i bardhë, një sinjal për gjithë botën se Papa i ri është zgjedhur. Pas kësaj, i sapozgjedhuri pyetet nëse e pranon misionin dhe çfarë emri do të marrë si Papë. Në fund, ai shfaqet në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit dhe njofton me fjalët: “Habemus Papam”, që do të thotë “Kemi një Papë”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: