Nga Marsela Karapanço
Nga Asambleja e PS të shtunën, kryesocialisti bëri të ditur objektivin që i ka vënë vetes deri më 31 dhjetor 2018, plot 25 mijë punësime të reja. Mirëpo, me mbylljen e 4 mujorit të parë, llogaritë me shifrat nuk i kanë dalë mirë me disa drejtori të zyrave shtetërore të punësimit në 61 bashkitë e vendit.

Burimet i thanë News24 se kryeministri ka zhvilluar një mbledhje pa media me drejtuesit rajonalë të këtyre zyrave, prej nga ku ai i Elbasanit dhe i Delvinës do të kthehen në qytetet e tyre si të shkarkuar.

Oltion Kokunja, kreu i zyrës së punësimit në Elbasan ka punësuar pak më shumë se 50% e objektivit, pra 65 persona nga 110 për muajin prill.
Të njëjtin fat ka pësuar dhe kreu i zyrës së punësimit të Delvinës, Skënder Qilimi me vetëm 3 punësime më pak se objektivi.

Po të njëjtat burime saktësojnë se përveç shkarkimeve, shefi i kabinetit ka përgëzuar kryetarët e zyrave të punësimit për dy bashkitë Pogradec dhe Kukës, që kanë mundur të dyfishojnë objektivin, duke punësuar dy herë më shumë se objektivi mujor.

Shembujt në fjalë, i kanë mjaftuar kryeministrit të tregojë se toleranca me ata që nuk përmbushin detyrimet, do të jetë zero.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb