Ishte e qartë që në short se për Atalantën do të ishte e vështirë, por Bayern ia shndërroi në makth këtë aventurë të tyre të parën në këtë fazë të Champions, i “çmontoi” brenda në Bergamo duke e kthyer aktin e parë në një lojë tenisi. Pa Harry Kane dhe kapitenin Neuer, dy pikat kryesore, Kompany jo vetëm që nuk e kishte të vështirë, por u argëtua si të ishte një ndeshje rutinë në kampionat, triumfuan 6-1 duke e bërë formalitet kualifikimin për më tej.
12 minuta lojë i mjaftuan për të kaluar në avantazh, ku një përgjumje në mbrojtje, bëri që Gnabry të gjente Stanisic të vetëm në zonë, me mbrojtësin kroat që e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë. Stafetën më pas e mori Olise, me sulmuesin francez që në minutën e 22-të me një goditje të tij tipike me të majtën dyfishoi shifrat. Tre minuta më pas, Olise këtë herë dhuroi një asist të pastër për Gnabry me sulmuesin gjerman që i vetëm përballë portierit dërgoi shifrat në 0-3.
Me fillimin e pjesës së dytë trajneri Palladino uli në stol Berat Gjimshitin, por historia e këtij takimi nuk ndryshoi, me Bayern që i goditi thuajse në çdo zbritje në sulm. Në të 52-të, Luis Diaz shërbeu për Jackson me senegalezin që me një goditje të saktë kompletoi “pokerin” golave. Bayern nuk e uli ritmin për asnjë moment dhe në të 64-tën, Olise realizoi një super gol me një goditje fantastike në kufijtë e zonës së rreptësisë. Për të kompletuar mbrëmjen magjike mendoi Musiala, me talentin gjerman që u shërbye në limitet e vijës fatale duke shtyrë topin me lehtësi brenda në rrjetë. Në një ndeshje “horror” të paktën Atalanta gjeti golin e nderit me Pasalic në minutën e 93-të.
Bayern feston me të drejtë për këtë fitore të madhe, për këtë sukses fantastik që i dhuron statusin e një e ekipi favorit për të triumfuar në këtë edicion të Champions League.
